Kryeqyteti përjetoi dje një nga ditët më të tensionuara të muajve të fundit. Protesta e studentëve u shoqërua me incidente, gaz lotsjellës dhe zjarre në rrugë deri në orët e vona të mbrëmjes.
Tubimi nisi rreth orës 14:00 para Ministrisë së Arsimit, ku studentët dhe qytetarët protestuan kundër problemeve që prekin të rinjtë në arsim. Fillimisht drejt godinës u hodhën vezë, tullumbace me ujë e kapsolla, ndërsa fasada u lye me bojë të kuqe. Situata u përshkallëzua kur protestuesit shkulën kangjella e pllaka trotuari dhe i hodhën drejt ministrisë e policëve, duke thyer edhe xhamat.
Rreth një orë pas fillimit, policia ndërhyri me autobotë uji, gaz lotsjellës dhe shkopinj gome, duke nisur shoqërimet. Pas shpërndarjes së parë, grupe protestuesish u rikthyen dhe tensioni rifilloi.
Gjatë pasdites përplasjet u përhapën në Rrugën e Durrësit, ku u dëmtuan një institucion financiar dhe një dyqan rrobash. Mobiliet e nxjerra nga institucioni financiar u dogjën në mes të rrugës, së bashku me kosha mbeturinash e reklama.
Rreth orës 20:00 policia ndërhyri sërish me gaz dhe ujë me presion. Një grup protestuesish u drejtua më pas te Bashkia e Tiranës, ku goditën hyrjen me gurë, thyen derën dhe hynë në katin e parë me flakadanë. Tensionet vijuan në zonën e 9-katësheve dhe te Pazari i Ri, ku u raportuan semaforë të dëmtuar dhe zjarre pranë tezgave e strukturave prej druri.
Bilanci, të lënduar dhe të shoqëruar
Në bilancin e parë zyrtar, policia raportoi 23 persona të shoqëruar si dhe gjashtë efektivë e një gazetare të lënduar. Sipas raportimeve të fundit, numri i të arrestuarve vlerësohet rreth 40, por kjo shifër nuk është konfirmuar ende zyrtarisht.
Ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, bëri të ditur se shtatë persona mbeten në trajtim te Trauma: një punonjëse policie, katër protestues dhe dy kalimtarë, të gjithë jashtë rrezikut për jetën.
Të tjerë, mes tyre efektivë të forcave speciale, përfaqësues të medias, kalimtarë, protestues dhe një diplomat i huaj, u larguan nga Trauma dhe QSUT pasi morën ndihmë mjekësore.
Shefi i Urgjencës së Traumës tha se shumica kishin dëmtime të lehta dhe se nuk ka asnjë pacient të intubuar apo humbje jete. Agjencia për Media dhe Informim gjithashtu hodhi poshtë pretendimet se dy studentë ishin në intubim.
Rasti i 19-vjeçarit, pezullohen policë
Rasti më i rëndë është një 19-vjeçar me frakturë në këmbën e djathtë, i cili ndodhet në gjendje të stabilizuar. Ai deklaroi për mediat se nuk ishte pjesë e protestës dhe se u dhunua nga policia. Pas këtij rasti u pezullua shefi i Rendit në Komisariatin nr. 1 dhe katër policë.
Reagimet
Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, dënoi dhunën ndaj policëve dhe kërkoi uljen e tensioneve. Në një reagim të dytë, ai theksoi se pjesëmarrja në protestë nuk e bën dikë automatikisht përgjegjës për incidentet dhe se çdo ndërhyrje e policisë duhet të jetë e ligjshme, e nevojshme dhe proporcionale.
Kreu i PD-së, Sali Berisha, denoncoi dhunën e policisë ndaj protestuesve dhe ftoi qytetarët t’u bashkohen studentëve në protestën e radhës. Me këtë thirrje, Berisha duket se po merr në njëfarë mënyre edhe autorësinë e organizimit të protestës, gjë që nuk pranohet nga grupe të ndryshme protestuesish. Ku secili prej tyre pretendon se janë ata organizatorët e vërtetë. /dritare.net