Çfarë do të shikoni në Dritare TV deri në fund të vitit!
Dritare.net

Katër muaj na ndajnë nga fundi i vitit: shtatori, tetori, nëntori dhe dhjetori. Katër muaj gjatë të cilëve Dritare TV do të sjellë rikthime të rëndësishme, programe të reja, dokumentarë, histori nga Shqipëria dhe prodhime që do të flasin në disa gjuhë për shqiptarët kudo që jetojnë.
Sezoni i ri do të hapet fort!
Rikthehet “Shqip” me Rudina Xhungën, me një personazh dhe një histori që nuk duhet humbur. Nuk do ta zbulojmë ende emrin, por mund t’ju themi se do ta nisim sezonin me një intervistë të madhe.

8 pa 5 rivjen në javën e dytë të shtatorit dhe do jetë e premtja që të ka marrë malli të ndash në TV apo celular.

Më 7 shtator rikthehet edhe “Shqip” me Dritan Hilën, me politikë, aktualitet dhe analizën e drejtpërdrejtë që publiku tashmë e njeh.

Qysh ne 1 shtator nis sezoni i ri i Roland Qafokut në Dritare TV. Katër ditët e para të çdo jave ai do të sjellë emisionet e tij, të ftuar të shumtë, intervista dhe komunikim të drejtpërdrejtë me shikuesit. Interaktiviteti me publikun ka qenë një nga pikat më të forta të programeve të tij dhe kështu do të vazhdojë edhe këtë sezon.

Dritare për shqiptarët kudo në botë
Dritare është zgjeruar. Ajo nuk i drejtohet më vetëm publikut që jeton në Shqipëri, por sidomos diasporës dhe të huajve që duan ta njohin vendin tonë.
Ne duam që shqiptarët në diasporë t’i ndajnë prodhimet tona me miqtë, të afërmit dhe kolegët e tyre, në shqip, anglisht dhe gjuhë të tjera. Pikërisht për këtë arsye, dy prej cikleve tona u janë besuar autorëve të huaj. Te tjera do te shtohen me shume.
Njëri prej tyre është “My Albania” nga Robert Hackman, fotograf dhe autor britanik, i cili e ka njohur Shqipërinë në një mënyrë të veçantë dhe ka vendosur t’ua tregojë atë edhe të tjerëve. Deri në dhjetor do të ndiqni ciklet e tij kushtuar xhubletës, lahutës, traditave, njerëzve dhe kuzhinës shqiptare. Është Shqipëria e treguar me sytë e një britaniku që e do këtë vend.
Do të vazhdojë gjithashtu cikli “Historia e Shqipërisë” nga Arthur Holcombe. Ai e shkruan, e realizon dhe e rrëfen vetë historinë e vendit tonë, në një mënyrë të kuptueshme, tërheqëse dhe krejt të veçantë. Arthur Holcombe nuk është historian me profesion, por një sipërmarrës IT me një pasion të jashtëzakonshëm për historinë shqiptare. Mos e humbisni!
Do të vazhdojme edhe me ciklin “Kujtimet e Gjyshit”, ku Stefan Gajo sjell përmes kamerës së tij kujtime, dëshmi dhe copëza të çmuara nga Shqipëria e dikurshme. Një arkiv i rrallë që na ben nder ta transmetojmë.
Shëndet, podcaste dhe zëra të rinj
Do të rikthehet “Dritarja e Doktorit”, një nga ciklet më të ndjekura në Dritare TV. Do t’ju prezantojmë mjekët e duhur, analizat që duhen bërë dhe mënyrat më të mira për t’u kujdesur për shëndetin. Informacion i saktë, i dobishëm dhe i shpjeguar qartë për të gjithë.
Do të vazhdojmë edhe me podcastet. Elion Kollçaku nga Kosova do të sjellë tema, histori dhe të ftuar ekskluzivë, ndërsa Mikele Kallanxhiu do të na njohë me histori njerëzore dhe personazhe interesantë si deri ne tani.
Dritare TV është e hapur edhe për të rinjtë që duan të krijojnë podcastin e tyre. Ne kemi studion, pajisjet dhe një audiencë të madhe. Nëse keni një ide, një zë dhe diçka me vlerë për të treguar, mund ta regjistroni dhe ta transmetoni podcastin tuaj në Dritare. Ju mirëpresim!
Shqipëria që duhet jetuar dhe treguar
Ciklet kushtuar turizmit nuk do të ndalen. Të gjithë në Dritare kanë një rol të rëndësishëm, sepse prodhojnë emisione për një Shqipëri që duhet jetuar, shijuar, treguar dhe promovuar.
Lorena, Eda, Kadrija, Marina, Malvina dhe të gjithë bashkëpunëtorët tanë, brenda dhe jashtë redaksisë, do të kenë gjithmonë një dritare të hapur për të treguar Shqipërinë e bukur, ashtu siç është.
Do të vazhdojë edhe “Dritarja e Liqenit” me Eda Prekën. Nuk është thjesht një vox pop, por zëri i njerëzve që çdo ditë e jetojnë Liqenin e Tiranës. Ata ecin, takohen, bisedojnë, pinë kafe dhe, për një çast, ndalen para mikrofonit të Edës për të treguar çfarë mendojnë për lajmin dhe çështjen e ditës. Një zë i vërtetë nga Liqeni, që do të vazhdojë të flasë me ju.
Do të sjellim edhe histori kuzhine, sepse ka gjithmonë një dritare për të gatuar. Do t’ju tregojmë njerëzit, shijet dhe vendet më të mira që ofrojnë Tirana dhe Shqipëria.
Dokumentari i madh i këtij sezoni
Një nga ngjarjet kryesore të këtij sezoni do të jetë dokumentari ynë për shqiptaret qe shpëtuan armikun, pas kapitullimit të Italisë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Rreth 25 mijë ushtarë italianë u strehuan dhe u shpëtuan nga familjet shqiptare. Është një histori e jashtëzakonshme njerëzore, që Dritare TV dhe Rudina Xhunga e kanë kërkuar, dokumentuar dhe realizuar për t’ia treguar publikut shqiptar dhe atij ndërkombëtar.
Dokumentari do të shfaqet dhe do të promovohet gjatë këtyre katër muajve. Është një prodhim që nuk duhet humbur.
Dokumentarët janë një nga arsyet përse ekziston Dritare TV. Ata nuk krijohen vetëm për lajmin dhe momentin, por për kujtesën tonë, për të shkuarën dhe për të ardhmen. Historia shqiptare duhet dokumentuar dhe treguar në të gjitha gjuhët.
Inteligjenca artificiale bëhet pjesë e Dritares
Gjatë këtij sezoni do të zhvillojmë edhe më shumë komunikimin me inteligjencën artificiale. Eksperimentin e nisëm që gjatë zgjedhjeve të fundit te përgjithshme , me një gazetare virtuale. Tani inteligjenca artificiale do të bëhet një pjesë e rëndësishme e Dritare TV dhe e mënyrës se si komunikojmë me publikun.
Na presin katër muaj me shumë intervista, histori, dokumentarë, aktualitet, shëndet, turizëm, kuzhinë dhe risi.
Ju mirëpresim! Dritare është juaja. Mezi presim ta ndajmë së bashku këtë sezon!/dritare.net