Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Braçe e Sinaj kundër Reformës Territoriale. Balla: Projektligji do të kalojë në Kuvend

Braçe e Sinaj kundër Reformës Territoriale. Balla: Projektligji

Partia Socialiste i hap rrugë reformës territoriale. Pas mbledhjes së grupit parlamentar, kreu i grupit Taulant Balla bëri të qartë se projektligji do të kalojë në seancë plenare sapo të përfundojë shqyrtimi në Komisionin e Ligjeve, ndërsa deputetët pritet të jenë të pranishëm dhe të marrin pjesë në votim. Përballë zërave kundër brenda grupit, Balla tha se deputetët mund të kenë qëndrime të ndryshme gjatë diskutimeve, por vendimmarrja politike e grupit duhet të respektohet. Ai mohoi gjithashtu që Erion Braçe dhe Vullnet Sinaj, të cilët kanë shprehur rezerva për reformën, të jenë kërcënuar.

Deklarata e Ballës

"Vendimi politik i grupit parlamentar është që, sapo të përmbyllet në Komisionin e Ligjeve ky projektligj, të kalojë në seancë parlamentare. Hyn në këtë vendimmarrje politike, për të cilën kërkohet që të gjithë deputetët të jenë prezentë dhe të votojnë.


Secili ka shqetësimet e veta. Me të drejtë ju përmendët kolegun Sinaj, por një është të kesh diskutimet e tua dhe një është të kesh detyrimet e tua për të votuar për vendimmarrjen e përbashkët të grupit parlamentar. Por puna duhet të vazhdojë me intensitet në Komisionin e Ligjeve, sot dhe nesër, maksimalisht, për t’iu përmbajtur kalendarit të Kuvendit.

-Ai është shprehur kundër bashkimit të Selenicës me Vlorën?

Unë nuk thashë që vendimi politik i PS-së është që të gjithë deputetët të votojnë pro.

– A ka penalitete për ata që dalin nga rreshti dhe votojnë kundër vendimit tuaj politik?

Lexoni rregulloren e grupit.

-Ndoshta vota e tyre do të jetë kundër në seancën e të enjtes?

Nuk e di sot, por gjithmonë në mbledhjen e grupit parlamentar ka raste që deputetët shprehin mendimin e tyre kundër dhe votojnë edhe kundër, por në fund është ai vendimi që pason, që është vendimi politik. Dhe besoj që të gjithë deputetët e dinë se sa e rëndësishme është të ecim përpara në këtë moment të rëndësishëm, ku Shqipëria nuk ka qenë më pranë Bashkimit Evropian.

Javën e ardhshme kemi një moment tjetër kulminant që lidhet me konferencën e radhës ndërqeveritare. Mbyllet një kapitull tjetër. Ky është një ndërgjegjësim politik.

-A po i kërcënoni dy deputetët?

Absolutisht jo. Janë ndër dy deputetët më të mirë që ka grupi parlamentar.", tha Balla./K.C/dritare.net