
Deri në 50% e binjakëve zhvillojnë modelin e tyre të komunikimit me njëri-tjetrin. Shumica e humbasin me kalimin e kohës, por për binjakët Youlden është bërë një mënyrë normale komunikimi. Binjakët Matthew dhe Michael Youlden flasin 25 gjuhë secili. E 26-ta është Umeri, të cilën nuk e përfshijnë në numërimin e tyre. Nëse nuk keni dëgjuar për gjuhën Umeri, ka një arsye. Michael dhe Matthew janë personat e vetëm që e flasin, e lexojnë dhe e shkruajnë atë, duke e krijuar vetë kur ishin fëmijë.
Vëllezërit këmbëngulin se Umeri nuk është një gjuhë e fshehtë qëllimisht.
"Umeri nuk reduktohet kurrë në një gjuhë që përdoret për t'i mbajtur gjërat private.”, thonë ata për BBC. “Padyshim që ka një vlerë shumë sentimentale për ne, pasi pasqyron lidhjen e thellë që kemi si binjakë.”
Rreth 30-50% e binjakëve zhvillojnë një gjuhë të përbashkët ose një model të veçantë komunikimi që është i kuptueshëm vetëm për ta, i njohur si kriptofazia. Termi përkthehet drejtpërdrejt nga greqishtja si fjalim i fshehtë. Nancy Segal, drejtore e Qendrës së Studimeve Binjake në Universitetin Shtetëror të Kalifornisë, beson se tani ka fjalë më të mira për fenomenin dhe preferon të përdorë termin "fjalim privat". Në librin e saj Twin Mythconceptions, Segal përdor shprehjen "mirëkuptim verbal i përbashkët" për t'iu referuar të folurit të përdorur brenda çiftit.
“Bazuar në studimet e disponueshme, është e sigurt të thuhet se rreth 40% e të vegjëlve binjakë përdorin një formë të “twin-speak””, shkruan Segal. "Por kjo shifër nuk tregon se sa i ndërlikuar rezulton të jetë zhvillimi gjuhësor i binjakëve."
Umeri tani shkruhet duke përdorur alfabetin latin, megjithëse binjakët Youlden u përpoqën të hartonin alfabetin e tyre.
Roy Johannink nga Holanda është babai i binjakeve adoleshente Merle dhe Stijn. Trembëdhjetë vjet më parë, kur ato ishin foshnje, ai u bëri një video duke folur me njëri-tjetrin dhe e shpërndau në YouTube. Deri më sot, biseda e tyre ka pasur mbi 30 milionë shikime.
Segal shpjegon se ashtu si Merle dhe Stijn (të cilët e humbën gjuhën e tyre të përbashkët kur mësuan holandisht), shumica e binjakëve i tejkalojnë fjalët private pasi fitojnë më shumë ekspozim ndaj njerëzve të tjerë përtej shtëpisë.
Por nuk është rasti për binjakët Youlden. Ata nuk e humbën gjuhën e tyre. Përkundrazi, e pasuruan dhe e përsosën atë me kalimin e viteve. Të lindur dhe të rritur në Mançester, binjakët Youlden u rritën të rrethuar nga etni dhe kultura të ndryshme, duke nxitur dashurinë për gjuhët./K.C/dritare.net

















