Bllokohet përkohësisht autostrada Tiranë-Durrës, ARRSH njofton devijimet e trafikut
Dritare.net

Qarkullimi në autostradën Tiranë-Durrës do të ndërpritet përkohësisht gjatë netëve të 6 dhe 7 gushtit, për shkak të punimeve për ndërtimin e mbikalimit të ri të Kasharit, pjesë e projektit për zgjerimin e autostradës.
Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) bën të ditur se bllokimi do të jetë nga ora 00:00 deri në 04:30, periudhë gjatë së cilës do të kryhet montimi i trarëve metalikë të mbikalimit. Gjatë këtij intervali do të mbyllen dy korsitë e aksit në drejtimin Durrës–Tiranë.
Sipas ARRSH-së, automjetet që udhëtojnë nga Durrësi drejt Tiranës, Aeroportit “Nënë Tereza” dhe Kosovës do të devijohen në rampat e autostradës Thumanë–Kashar.
Mjetet me destinacion Aeroportin dhe Kosovën do të vijojnë lëvizjen në autostradën Kashar–Thumanë, ndërsa automjetet që shkojnë drejt Tiranës do të orientohen përmes sinjalistikës së përkohshme në rrugën dytësore, duke u rikthyer më pas në autostradë pas mbikalimit të Kasharit.
ARRSH u bën thirrje drejtuesve të mjeteve, bizneseve dhe banorëve të zonës të tregojnë mirëkuptim dhe të respektojnë sinjalistikën e përkohshme gjatë zhvillimit të punimeve./L.F-dritare.net