
Kreu i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, ka përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit politik me Sali Berishën për rrëzimin e qeverisë së Edi Ramës, duke theksuar se forca politike që drejton kundërshton të dy liderët.
Në një intervistë për emisionin “Shqip” nga Rudina Xhunga në DritareTV, Qori komentoi përplasjet mes protestuesve dhe përfaqësuesve të Partisë Demokratike, duke deklaruar se Berisha nuk pranohet as nga studentët dhe as nga qytetarët që protestojnë.
“Lëvizja Bashkë nuk e ka pranuar kurrë Sali Berishën, siç nuk ka pranuar kurrë Edi Ramën, dhe nuk do të pranojë kurrë as Edi Ramën, as Sali Berishën, sa të jemi në jetën politike. Kjo është e sigurt.
Problemi i Sali Berishës nuk është se nuk e pranojmë ne, se fundja ne një parti jemi. Problemi është i thjeshtë: nuk e pranon sheshi, nuk e pranojnë studentët, nuk e pranojnë qytetarët. Berisha shkon dhe çon grupin parlamentar, si ata gangsterat, për t'u futur në mes të një proteste, e cila nga dita e parë ka pasur, thirrjen ‘Rama në burg, Berisha në burg’? Para se t'i afroheshin protestës, nuk kanë lënë njeri pa sharë, pa akuzuar, pa kërcënuar deri fizikisht, edhe mua”, tha ai.
I pyetur nga Rudina Xhunga nëse është kërcënuar nga njerëzit e Berishës, Qori përmendi deklaratat publike të kreut të PD-së dhe Flamur Nokës.
“I shoh publikisht, nuk ka nevojë të më vijnë personalisht. Berisha dhe Noka që nga mënyra si flasin, duken si kapobanda që po fole keq për mua, do të të rrah poshtë pallatit”, u shpreh Qori.
Lidhur me përplasjen mes deputetëve demokratë dhe protestuesve pranë Ministrisë së Arsimit, ai mohoi përfshirjen e aktivistëve të Lëvizjes Bashkë.
“Deputetët e PD-së nuk janë përplasur me asnjë përfaqësues të Lëvizjes Bashkë, me asnjë aktivist të Lëvizjes Bashkë, me asnjë anëtar të Lëvizjes Bashkë. Kemi qenë 100 metra më tutje. Kemi qenë larg, sepse nuk duam që konflikti të ketë natyrë ndërpartiake”, theksoi ai.
Qori akuzoi gjithashtu Partinë Demokratike se po përpiqet të cenojë bashkimin e protestuesve, duke pretenduar se demonstratat kanë ruajtur një kohezion të fortë gjatë muajve të fundit.
“Protesta ka pasur një kohezion shumë të lartë për pesë muaj dhe unë besoj që do të vazhdojë ta ketë. Këtë kohezion tentoi ta prishte PD-ja, siç ka tentuar ta prishë Edi Rama me infiltrime e gjëra të tjera, por nuk ia ka dalë sepse tashmë ka një masë kompakte shoqërore që kërkon dorëheqjen e Ramës dhe një sistem të ri politik ku për Sali Berishën dhe për të tjerët si Berisha nuk ka vend. Kaq e thjeshtë është”, deklaroi Arlind Qori në DritareTV./dritare.net
