Na ndiqni edhe në

Shqip

Arlind Qori: Jo dhunës, duam zgjedhje!

Arlind Qori: Jo dhunës, duam zgjedhje!


Kreu i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, i ftuar në emisionin “Shqip” nga Rudina Xhunga në DritareTV, foli për protestat që po zhvillohen në Shqipëri, përplasjet me policinë, dhunën në rrugët e Tiranës, mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme dhe alternativën politike që përfaqëson. Qori u përgjigjet pyetjeve të Rudina Xhungës për mënyrën se si synon të arrijë ndryshimin politik, raportin e tij me Edi Ramën dhe Sali Berishën, marrëdhëniet me Lëvizjen Vetëvendosje të Albin Kurtit dhe të tjera.

Protestat dhe dhuna: Nuk ushtrojmë dhunë, por revolta e të rinjve ka arsye!
Një pjesë e rëndësishme e bisedës i kushtohet protestave kundër qeverisë dhe akteve të dhunës që i kanë shoqëruar ato. I pyetur nga Rudina Xhunga se kush janë personat që godasin me gurë dhe shkatërrojnë prona, Qori shprehet se dhuna ka burime të ndryshme.
Sipas tij, një pjesë e veprimeve radikale lidhet me zemërimin e të rinjve që nuk shohin perspektivë në Shqipëri. Ai ngre gjithashtu dyshime për provokime të mundshme, duke përmendur thyerjen e xhamave të konviktit të vajzave në Qytetin Studenti.
“A ka të rinj të zemëruar që gjuajnë me gurë? Patjetër që ka. Sepse mos harroni dhe diçka, për katër muaj e gjysmë u protestua në mënyrë shembullore, jo vetëm për Shqipërinë, por shembullore për botën. Protesta masive, protesta paqësore, protesta që kishin emërues të përbashkët. Kërkonin dorëheqjen e Edi Ramës nga pozita e kryeministrit dhe një zgjidhje politike. As unë, dhe flas edhe për aktivistët e Lëvizjes Bashkë, as ushtrojmë dhunë, as nxisim dhunë, as predikojmë dhunë”, thekson ai.
Qori kujton thënien e presidentit amerikan John F. Kennedy se kush e bën të pamundur revolucionin paqësor, e bën të pashmangshëm revolucionin e dhunshëm, por nënvizon se forca politike që drejton nuk kërkon një revolucion të dhunshëm. Ai dënon gjithashtu dëmtimin e bizneseve, duke theksuar se hetimi i veprimtarive të mundshme të paligjshme është detyrë e institucioneve të drejtësisë dhe jo e protestuesve.
“Nuk duhet të preken bizneset. Në qoftë se në Shqipëri ka biznese problematike, siç unë mendoj që ka, është detyra e prokurorisë dhe e SPAK-ut të merret me ta, por nuk është zgjidhja thyerja e një biznesi”, thotë Qori.


Akuzat ndaj policisë dhe frika e përsëritjes së vitit 1997
Gjatë intervistës, Qori akuzon policinë për përdorim të tepruar të forcës ndaj protestuesve, duke treguar se edhe ai vetë është goditur me spraj me piper gjatë një proteste. Ai pretendon se ka parë policë që kanë qëlluar me plumba gome në drejtim të protestuesve dhe se u ka kërkuar të ulin armët për të shmangur pasoja të rënda.
“Kam qenë dëshmitar disa herë i gjuajtjes me plumba gome në lartësi njeriu. I kam parë policët, u kam thirrur, u kam bërtitur të paktën të ulin tytën, sepse është e rrezikshme për jetën”, deklaron ai.
Qori tregon se protestën e parë e ka zhvilluar pikërisht në shkurt të vitit 1997, kur ishte gjimnazist në shkollën “Ismail Qemali” në Tiranë.
“Dola se kisha një frymëzim të madh qytetar, sepse e konsideroja, siç konsideroj Edi Ramën diktator sot, gjimnazist asokohe e konsideroja Sali Berishën diktator”, shprehet ai.
Megjithatë, Qori thotë se nuk beson që Shqipëria mund të përjetojë sërish ngjarje të ngjashme me vitin 1997, pasi sipas tij shoqëria shqiptare është më e pjekur politikisht.


Zgjedhjet lokale janë shumë larg, duam zgjedhje të parakohshme parlamentare!
Një tjetër temë kryesore e intervistës është rruga politike që Lëvizja Bashkë kërkon të ndjekë.
I pyetur nga Rudina Xhunga nëse është gati për zgjedhjet lokale të majit, Qori përgjigjet se ato janë shumë larg dhe se objektivi i tij është rrëzimi i qeverisë dhe organizimi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
“Mua zgjedhjet e majit më duken shumë larg. Sepse çështja që shtrohet sot është rrëzimi i qeverisë. Dhe në qoftë se rrëzohet qeveria, besoj me një qeveri jopartiake dhe me disa ndryshime kushtetuese dhe ligjore që duhen bërë, unë mendoj që Shqipëria duhet të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare, përpara se të shkojmë te zgjedhjet lokale”, deklaron Qori.
Sipas tij, pritja deri në zgjedhjet vendore do t'i jepte mundësi Ramës të vazhdonte qeverisjen pa u përballur me kërkesat e protestuesve.
Në një nga momentet e intervistës, Rudina Xhunga e pyet drejtpërdrejt:
“Po me llastik, me gurë edhe me molotovë do t'i afroni?”
“Me frymë, me solidaritet, me mirëkuptim, me ide të mëdha dhe me zgjidhje konkrete dhe me organizim”, përgjigjet Qori.
Ai thekson se protesta duhet të zgjerohet dhe të mbështetet te pjesëmarrja qytetare, jo te dhuna. Megjithëse kërkon zgjedhje të parakohshme parlamentare, Qori konfirmon se do të jetë kandidat për kryetar të Bashkisë së Tiranës në rast se zgjedhjet lokale zhvillohen përpara atyre parlamentare.
“Pa diskutim unë do të jem kandidat i Lëvizjes Bashkë për Bashkinë e Tiranës. Këtë gjë e kemi vendosur që vjet, kur u krijua ideja që do të kishte zgjedhje të parakohshme lokale pas arrestimit të Erion Veliajt”, deklaron ai.
Duke folur për kryeministrin Edi Rama, Qori shprehet i bindur se vazhdimi dhe masivizimi i protestave mund të çojnë në përfundimin e parakohshëm të mandatit të tij.
Ai pretendon se Rama ka humbur legjitimitetin politik dhe se pakënaqësia qytetare është shndërruar në një faktor të rëndësishëm kundër qeverisë.
“Unë besoj që Edi Rama nuk e mbyll mandatin. Historia e Shqipërisë nuk mund të jetë peng i ëndrrave të Edi Ramës”, deklaron kreu i Lëvizjes Bashkë.
Qori kundërshton gjithashtu idenë që largimi i Ramës nga pushteti të lidhet me përfundimin e procesit të integrimit europian.
“Edi Ramës nuk mund t'i besojë askush, sepse ka shkelur shumëçka nga ato që ka premtuar para se të vinte në pushtet. E dyta, se kur Shqipëria do të futet në BE nuk është në dorë të Ramës. Madje unë mendoj që sot Rama është pengesë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, shprehet ai.
Sipas Qorit, për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme nevojitet një qeveri jopartiake dhe ndryshime në kuadrin ligjor e kushtetues.
I pyetur për raportin me Partinë Demokratike dhe mundësinë e bashkëpunimit me Sali Berishën, Qori mban një qëndrim kategorik kundërshtues.
Ai deklaron se Lëvizja Bashkë nuk e konsideron Berishën alternativë ndaj Ramës dhe se protesta nuk mund të drejtohet nga përfaqësuesit e sistemit të vjetër politik.
“Lëvizja Bashkë nuk e ka pranuar kurrë Sali Berishën, siç nuk ka pranuar kurrë Edi Ramën, dhe nuk do të pranojë kurrë as Edi Ramën, as Sali Berishën, sa të jemi në jetën politike. Kjo është e sigurt”, thekson ai.
Qori akuzon gjithashtu drejtuesit e Partisë Demokratike se kanë tentuar të përfshihen në protestë, pavarësisht se, sipas tij, protestuesit kanë kërkuar që prej fillimit largimin si të Ramës, ashtu edhe të Berishës.
“Problemi i Sali Berishës nuk është se nuk e pranojmë ne. Problemi është i thjeshtë: nuk e pranon sheshi, nuk e pranojnë studentët, nuk e pranojnë qytetarët, sepse që nga dita e parë kjo protestë ka pasur dy thirrje: ‘Rama jep dorëheqjen’ dhe ‘Rama në burg, Berisha në burg’”, shprehet Qori.
Ai mohon që aktivistët e Lëvizjes Bashkë të jenë përplasur me deputetët e PD-së gjatë protestës pranë Ministrisë së Arsimit dhe thotë se ata ndodheshin rreth 100 metra larg incidentit.


Largimi nga drejtimi i partisë në vitin 2029
Qori zbulon gjithashtu se nuk synon të qëndrojë pafundësisht në drejtimin e forcës politike.
Ai thotë se në kongresin e ardhshëm të Lëvizjes Bashkë, në vitin 2029, nuk do të rikandidojë për kryetar, megjithëse do të vazhdojë të jetë aktiv në politikë.
“Në vitin 2029, kur ne do të bëjmë kongresin e ardhshëm, unë nuk do të jem kandidat për kryetar të Lëvizjes Bashkë. E mendoj që është e mjaftueshme. Jo se nuk do të jem më në politikë, jo se nuk do të veproj më, por të paktën në këtë pozicion e mendoj që është e mjaftueshme”, shprehet ai./dritare.net