Ariana Grande tërhiqet nga jeta publike. Mbyll koncertin mes lotësh
Dritare.net

Ariana Grande i dha fund turneut të saj “Eternal Sunshine” të martën në mbrëmje, në një koncert të mbushur me emocione, ndërsa këngëtarja pritet të tërhiqet përkohësisht nga jeta publike.
Grande u shfaq disa herë mes lotësh, veçanërisht gjatë interpretimit të këngës “One Last Time”, e cila ka marrë një kuptim të veçantë ndër vite si një himn për të mbijetuarit e sulmit terrorist në Mançester në vitin 2017.
“Do të kem nevojë për ndihmën tuaj në këtë moment”, u shpreh ajo, ndërsa u ul në gjunjë për t’iu afruar publikut gjatë performancës.
Muajin e kaluar, këngëtarja njoftoi se do të marrë një pauzë nga të gjitha paraqitjet e ardhshme publike, pas muajsh spekulimesh intensive rreth shëndetit dhe pamjes së saj.
Vendimi i saj për t’u tërhequr nga angazhimet publike përfshin edhe largimin nga produksioni i “Sunday in the Park with George” të Stephen Sondheim, që pritet të shfaqet në Barbican të Londrës verën e ardhshme. Grande do të luante përkrah kolegut të saj nga “Wicked”, Jonathan Bailey, i cili gjithashtu njoftoi tërheqjen nga produksioni të martën.
Në skenën e Londrës, Grande nuk dha shenja të dukshme dobësie apo probleme shëndetësore, përveç një dëmtimi në këmbë që e detyroi të zëvendësonte takat e saj karakteristike me çizme platformë deri te gjuri.
Megjithatë, ajo vazhdoi të performonte me energji, duke lëvizur në sinkron me balerinët dhe shpesh duke qëndruar në majat e gishtave për të kompensuar mungesën e takave të larta.
Një moment emocional erdhi gjatë këngës “Nowhere, Nobody”, kur zëri i saj u lëkund teksa këndonte vargun: “Është e vështirë të besosh në një fund perfekt”.
Momenti ishte i shkurtër. Grande arriti të rimerrte shpejt kontrollin dhe vazhdoi performancën, duke treguar edhe një herë profesionalizmin dhe praninë e saj të fortë skenike./dritare.net