
Çfarë po kërkohet në shpellat shqiptare! Flasin biologët e huaj!
Dritare.net

Serban Sarbu dhe Jean François, dy shkencëtarë, profesorë të biologjisë dhe gjenomikës, prej vitesh janë në kërkim të thesareve që fshehin shpellat shqiptare. Në një intervistë për DritareTV ata rrëfyen se sa i rëndësishëm është biodiversiteti që mbajnë shpellat në vendin tonë, kryesisht ajo e Langaricës, në Përmet.
“Nga të gjitha shpellat me squfur që kam parë në botë, këto këtu janë spektakolare. Unë dhe Serban kemi parë çdo shpellë me squfur në Evropë. Vitin e fundit kam qenë 4-5 herë në këto shpella. Sa herë që shkojmë zbulojmë gjëra të reja, sepse ka shumë gjëra për të parë përreth. Çdo herë që kthehemi zbulojmë lloje të reja bakteresh, kafshë të reja. Kjo është e pabesueshme. I gjithë ky biodiversitet ka ndikim shumë të rëndësishëm për njerëzimin sepse ato përmbajnë gjene që mund të jenë të dobishme për njerëzit. Në Belgjikë, profesionistët punojnë në shpella duke izoluar bakteret që grumbullohen në të gjithë shpellën dhe ata gjejnë antibiotikë. Këto shpella janë burim shumë i mirë i antibiotikëve për të luftuar sëmundjet.
Pra çelësi i shëndetit të njeriut mund të jetë fshehur në këto shpella.
Po ashtu është me rëndësi për ekonominë. Është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi me shkencëtarë vendas. Ne do takohemi me mikrobiologë nga Universiteti i Tiranës. Ideja është të gjejmë molekula të reja nga bakteret që rriten këtu. Kjo do sjellë përfitime për studiuesit shqiptarë, edhe për ekonominë e Shqipërisë. Nuk ka kuptim që t’i marrim ne edhe t’i çojmë në SHBA apo Belgjikë.
Jo, ato janë pjesë e pasurive të panjohura të Shqipërisë. Ne e kemi parë peizazhin dhe natyrën e bukur që ka Shqipëria. Por nëntokë ka shumë pasuri që duhet të mbrohen, zbulohen dhe mund t’i sjellin vendit shumë përfitime financiare.
Pra është një vend unik në botë”, tha biologu./M.K-dritare.net

















