Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

2 korrik 1990, dita kur u shpërthyen ambasadat dhe shqiptarët prekën lirinë

2 korriku shënon 36 vite nga hapja e ambasadave për shqiptarët, që ishte edhe shenja e parë e lëvizjes antikomuniste të vitit 1990. Në një Shqipëri të varfër e të rrënuar ekonomikisht, njerëzit shkuan drejt dyerve të ambasadave në Tiranë të cilat iu hapën atyre portën drejt lirisë së munguar.

Ylli Bodinaku u bë heroi i ditës më 2 korrik, datë e rëndësishme që ndryshoi historinë e shtetit shqiptar. Ish i burgosuri politik, atëherë 37 vjeçar, rrëzoi me kamion murin rrethues të ambasadës gjermane, duke u futur në oborrin e saj me familjen dhe fëmijët e mitur si dhe 40 persona të tjerë.

Ata sfiduan të gjithë rrethimet e policisë dhe Sigurimit të Shtetit, duke i krijuar mundësinë një morie shqiptarësh të kërkonin azil politik nga vendi më i izoluar i Europës pas 45 viteve diktaturë të pashembullt komuniste. Pas 10 ditësh afro 5200 shtetas shqiptarë, që hynë në ambasadat e vendeve perëndimore u lejuan nga qeveria komuniste të dilnin nga vendi dhe të shkonin në shtete të tjera.

Hapja e ambasadave perëndimore në korrik të 1990-ës ishte shenja e parë se pas pak muajsh po vinte lëvizja antikomuniste e studentëve. Bashkë me revoltën e tyre erdhi edhe pluralizmi politik.

Shumë histori që nisën nga 2 korriku 1990, vijuan me eksodin e gushtit dhe ngjarjet që pasuan, janë rrëfyer nga dhjetëra shqiptarë në emisionin “Shqip” me Rudina Xhunga në Dritare TV./K.C/dritare.net