Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Zjarri në Levan/ Tre persona përfundojnë në spital

Situata nga zjarri në zonën e Levanit në Fier ka sjellë edhe probleme shëndetësore për banorët. Tre persona janë paraqitur me shenja asfiksie nga tymi dhe kanë marrë ndihmë mjekësore, ndërsa strukturat shëndetësore janë vendosur në gatishmëri të plotë.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale njofton se në terren janë angazhuar 9 mjekë dhe infermierë të Qendrës Shëndetësore Levan, si dhe dy autoambulanca me personel shëndetësor nga Spitali Rajonal Fier.

Njoftimi i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale:

Gatishmëri e plotë e strukturave shëndetësore në zonën e Levanit

Në vijim të situatës së krijuar nga zjarret në zonën e Levanit, ekipet shëndetësore janë në terren dhe në gatishmëri të plotë për t’iu përgjigjur çdo nevoje apo emergjence shëndetësore.

9 mjekë dhe infermierë të Qendrës Shëndetësore Levan dhe dy autoambulanca me personel shëndetësor nga Spitali Rajonal Fier janë angazhuar në terren. Njëra autoambulancë është e stacionuar në Levan, ndërsa tjetra është në gatishmëri për ndërhyrje sipas nevojës.

Deri në këto momente, 3 persona janë paraqitur me shenja asfiksie nga tymi dhe kanë marrë menjëherë ndihmën e nevojshme shëndetësore.

Për çdo rast të mundshëm të urgjencës kardiake, është koordinuar trajtimi pranë Spitalit Memorial Fier, për të garantuar ndërhyrje të shpejtë dhe të specializuar.

Strukturat shëndetësore vijojnë monitorimin e pandërprerë të situatës dhe mbeten në gatishmëri të plotë për t’iu përgjigjur çdo nevoje të qytetarëve."/dritare net