Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Zjarret në Shqipëri: Flakët kërcënojnë banesat në Lurë, 11 vatra vijojnë aktive

Tiranë, 14 gusht 2026 – Situata e zjarreve në Shqipëri vijon të mbetet shqetësuese, me 11 vatra aktive nga 29 zjarre të raportuara gjatë 24 orëve të fundit. Zona më problematike paraqitet në Parkun Kombëtar të Lurës, ku flakët janë përhapur në tre drejtime dhe kërcënojnë disa banesa.

Në pjesën fundore të fshatit Borie-Lurë, zjarri është afruar pranë 6-7 banesave. Forcat në terren po punojnë për hapjen e një kanali, me qëllim frenimin e përparimit të flakëve. Në operacion janë angazhuar rreth 200 forca të bashkisë, ndërsa nga ajri po ndërhyjnë dy avionë “Air Tractor”.

Një tjetër vatër aktive në zonën e Dibrës ndodhet në Qafën e Helmesit, në Fushë-Bulqizë, ku zjarri vijon në një terren pyjor.

Vijojnë ndërhyrjet në disa qarqe

Në Tiranë, operacionet vazhdojnë mbi tunelet e Qafë-Mollës në Dajt, ku është aktivizuar një helikopter, si dhe në Priskë të Madhe. Situata në Priskë dhe Lundër është përmirësuar dhe, sipas autoriteteve, nuk ka rrezik për banesat, ndërsa ndërhyrja nga ajri vijon për izolimin e plotë të vatrave.

Në Përmet mbeten aktive zjarret në malin e Nëmërçkës dhe në malin e Dhëmbelit. Terreni i vështirë malor po e komplikon ndërhyrjen e forcave në terren.

Në Mirditë, vijon operacioni për izolimin e zjarrit në Troje, ndërsa në Shkodër janë aktive vatrat në Rrencë dhe Goraj-Budishtë. Për këto zona nuk raportohet rrezik për banesat.

Zjarre aktive raportohen gjithashtu në Dardhë të Librazhdit dhe në Shalës të Cërrikut.

Qindra forca në terren

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në operacionet për përballimin e situatës janë angazhuar 249 efektivë të shërbimit zjarrfikës, 48 forca policore, 233 forca bashkiake, 206 vullnetarë dhe 118 efektivë të Forcave të Armatosura.

Në dispozicion të operacioneve janë vendosur gjithashtu 60 mjete zjarrfikëse, 3 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor”.

Autoritetet vijojnë monitorimin e situatës dhe ndërhyrjet nga toka e ajri, me fokus kryesor mbrojtjen e banesave dhe zonave të banuara dhe izolimin e vatrave aktive.