Zbulohen letrat. Ja çfarë i shkruante Mao Ce Duni, Enver Hoxhës!
Dritare.net



Marrëdhënia mes Enver Hoxhës dhe Mao Ce Dunit nuk ishte thjesht miqësi ideologjike: pas saj fshiheshin interesa shtetërore dhe frika e të dy liderëve. Kështu e shpjegon ambasadori i Kosovës në Japoni, Sabri Kiçmari, në emisionin “Shqip” nga Rudina Xhunga në Dritare TV, duke u bazuar te libri i tij i ri për marrëdhëniet Shqipëri–Kinë.
Letrat mes Tiranës dhe Pekinit
Sipas Kiçmarit, komunikimi mes dy liderëve nisi me letra në vitin 1949, kur Shqipëria ishte ndër shtetet e para që njohën qeverinë komuniste të Kinës. Hoxha e uroi Maon për marrjen e pushtetit, dhe në përgjigjen e tij Mao e falënderoi dhe kritikoi “revizionizmin titist”. Ambasadori thotë se kjo fjali i pëlqeu shumë Hoxhës, vetëm një vit pas prishjes me Jugosllavinë. “Kam përshtypjen që Mao Ce Duni është ndikuar nga mesazhet e Enver Hoxhës dhe ia kthen me të njëjtën formulë”, tha ai.
Letrat vazhduan edhe kur marrëdhënia nisi të ftohej. Mes viteve 1972 dhe 1976, Komiteti Qendror i Partisë së Punës i shkroi disa herë Pekinit për të kritikuar afrimin me Shtetet e Bashkuara, por nuk mori asnjë përgjigje. “Është në natyrën e tyre të mos u përgjigjen kritikave”, shpjegon Kiçmari. Letra e fundit e rëndësishme ishte ajo e ngushëllimit për vdekjen e Maos në 1976, ku Hoxha, pavarësisht mosmarrëveshjeve, foli mirë për të dhe u tregua i matur.
Frika që i bashkoi?
Sipas ambasadorit, kthesa erdhi në vitin 1956, me vizitën e Hoxhës në Pekin. Po atë vit Hrushovi e kritikoi Stalinin në kongresin e partisë sovjetike. “Enverit dhe Mao Ce Dunit nuk u pëlqen kritika që i bëhet Stalinit”, tha Kiçmari. Sipas përshtypjes së tij, të dy kishin frikë se, po të kritikohej Stalini, mund të kritikoheshin edhe vetë. Nga kjo frikë lindi aleanca që mori formë të qartë në vitin 1960.
Megjithatë, Mao nuk kishte simpati për Stalinin. Kiçmari tregon se, sipas dokumenteve që ka parë, gjatë vizitës së parë në Moskë Stalini e la Maon të priste më shumë se një muaj pa e takuar. Ambasadori thotë se Mao përdori për Stalinin një gjuhë aq të ashpër, sa ai nuk pranoi ta citonte në televizion. Sipas tij, këtë poshtërim Mao nuk e harroi kurrë, por ndaj Hrushovit u tregua “më stalinist se Hrushovi”.
Ambasadori thotë se në këtë marrëdhënie Hoxha veproi në masë të madhe i pavarur. Kjo marrëdhënie i solli Shqipërisë ndihma të mëdha ekonomike, teknike dhe ushtarake, ndërsa Kinës i dha zërin që i mungonte në OKB.
Si u prish miqësia?
Plasaritjet nisën kur Kina u afrua me Rumaninë dhe më pas me Jugosllavinë. Në “Shënimet për Kinën” Hoxha shkruan me nervozizëm për këto afrime, madje përshkruan në detaje përqafimin e Çu En Lait me kryeministrin sovjetik Kosigin. Vizita e Nixonit në Pekin në 1972 shënoi kthesën kryesore. Kiçmari thotë se nuk e ka kuptuar pse Hoxha reagoi aq ashpër: “Enveri del shumë ideologjik, ndërsa kinezët tregohen më pragmatikë.”
Prishja përfundimtare erdhi me ardhjen në pushtet të Deng Xiaoping-ut. Pas një artikulli të ashpër të Hoxhës në “Zëri i Popullit” dhe një letre drejtuar Partisë Komuniste të Kinës, Pekini tërhoqi mijëra ekspertë nga Shqipëria. Marrëdhëniet diplomatike nuk u ndërprenë, por vendi hyri në izolimin e viteve 1978–1990./dritare.net