
Vizitova Brukselin në dhjetor, më zhgënjeu shumë
Dritare.net

Nga Fjorda Llukmani Brukseli, sa qytet i çuditshëm, ose më saktë pa lidhje. Unë s’kam lindur në Paris që të bëj si tangërllikse që s’më pëlqen një qytet evropian, por me aq sa kam bredhur besoj më lejohet të bëj krahasime të tilla. Shkova në Bruksel me shokët e mi të klasës me sebepin e një ekskursioni studimor, kështu e quajnë austriakët. Duke qenë se masteri im është për “Studime Europiane” me të drejtë duhet të viziojmë insitucionet e Bashkimit Europian me qendër në Bruksel.
Qëndrova në hostel dhe për pesë ditë e ndava dhomën me njerëz të panjohur sepse ashtu i binte më lirë. Si qytet është goxha i shtrenjtë dhe të thyen në mes për shpenzime. Avioni im u ul në aeroportin Chareloi në periferi dhe u deshën rreth 40 minuta që të arrija në destinacion.
Gjëja e parë që më bezdisi është moti, gjithmonë vranësirë ose shi. Mirë kjo po retë janë aq poshtë sa krijojnë mjegull e ftohtë qamet.
Futem në stacionin kryesor të trenave që quhet “Gare Du Midi”. Pak vështirë për të marrë vesh se cilin nga mjetet e transportit duhet të marrësh. Nga shenjat nuk kuptohej diferenca midis tramit, autobusit apo metrosë. Më bënte përshtypje që çdo gjë ishte shumë pis.
Plehra gjithandej. Metroja e vjetër dhe mbante erë. Mbase kisha pritshmëri të larta për Brukselin duke qenë qendra e institucioneve të Bashkimit Europian. Ama për shembull në Vjenë s’ka shans të shikosh plehra rrugës.
Në Bruksel mund të shikojë syri të gjitha racat e botës. Thonë që pas Dubait ky është qyteti me nacionalitetet më të ndryshme. Ama problemi qëndron se duke patur shumë emigrantë të paintegruar në shoqëri, kthehet në vend i rrezikshëm. Si femër turiste nuk ndjehesha aspak e sigurtë. Çunat përveçse të shikonin ta hidhnin ndonjë fjalë e përpiqeshin të afroheshin. Në stacione metroje e në rrugë kishte pafundësisht njerëz që flinin apo lypnin.
Në kryeqytetin e Europës nuk paska politika sociale për t’i bërë ballë emigrimit masiv? Sa keq që ata që predikojnë integrimin e emigrantëve dhe riciklimin e plehrave nuk përpiqen të rregullojnë as vendin që kanë përreth. Të mendosh që gjithë klasa më e lartë politike mblidhet këtu e disa prej tyre edhe jetojnë.
Disa më thoshin se fakti që në Bruksel gjendet Parlamenti, Komisioni dhe Këshilli Europian nuk do të thotë që qyteti duhet të jetë në standarde të larta.
Për shkak të politikës nuk merret vesh pse është përcaktuar pikërisht ky qytet si qendra e këtyrë institucioneve. Mbase sepse ishte një prej shteteve inicatore të BE në fillim ose sepse ofroi godinat falas, këtë nuk e dimë me saktësi.
Përveç të tjerash këtu jetojnë dhe shumë shqiptarë. S’do mend që disa prej tyre merren me pisëlliqe, por s’po ia bëjmë gjyqin njeriu. Dëgjova të flitej shqip në vende të ndryshme.
Megjithatë po ju tregoj dhe disa gjëra të pakta që më pëlqyen duke filluar me piacën kryesore që quhet “Grand Palace”. Pas orës 6 bëheshin disa show me drita njëra pas tjetrës. E shoqëronte muzika në sfond që përkonte me lëvizjet e dritave. Më e bukura që kam parë deri më sot.
Kulla ku ndodhet ndërtesa qendrore është ndërtuar në vitet 1400, por arkitekti nuk dihej me saktësi. Tek shijoja dritat shoku im më pyet: “A shikon ndonjë gabim me këtë ndërtesë?” “Përderisa ma përmende domethënë që duhet të ketë ndonjë gabim me patjetër, po hajde ta gjej tani”-i them unë. U lodha sa u lodha, por s’e gjeta dot. “Po ta vësh re me vemendje kulla e bashkisë nuk ndodhet fiks në mes të ndërtesës, pra nuk është simetrike. Thonë që arkitekti që e projektoi vrau veten pasi qytetarët filluan ta tallnin për këtë gabim trashanik. Ai u hodh pikërisht nga kulla, megjithatë shumë turistë se kuptojnë fare diferencën.”-më tregon Gjergji.
U habita e më erdhi për të qeshur sesi mund ta kuptosh gabimin pasi e ke ndërtuar të gjithë veprën. Ndërtesat në përgjithësi janë të vogla e jo shumë të larta, por me arkitekturë të lezetshme.
Diçka tjetër që më pëlqeu janë lokalet. Secila ishte e veçantë me zbukurime e stile nga më të ndryshmet.
Brukseli shquhet për birrat prandaj me shoqërinë e klasës shkuam te “Delirium Bar” që ka rreth 2000 lloje birrash. Provova një me shije kafeje, duke qenë se jam kafexhie, por s’më shijoi aspak. Pas zhgënjimit që pësova unë s’besoj se do ta vizitoj më Brukselin për qejf, por nëse e bën ndonjëri prej jush mos harroni të provoni waffle.
Ky është vendi ku janë shpikur dhe i qajnë. Hëngrëm në një prej marketeve të Krishtlindjeve dhe shkova pothuajse çdo ditë.
Një prej netëve pas 15 vjetësh takova shokun tim të fillores. Kemi qenë bashkë nga klasa e parë në të katërtën e nuk ishim parë që atëherë. Në muhabet e sipër më thotë: “Ndërkohë që ne kemi hero Skënderbeun, këtu kanë një djalë të vogël i cili ka fikur zjarrin që kapi qytetin duke bërë cicin.”
Aty bëra lidhjen se pse statuja e një çuni me bibilush përjasht ishte kudo nëpër Bruksel e mbahej si emblema e qytetit.
Restorantet janë të shtrenja e ushqim karakteristik mbahen patatet e skuqura dhe midhjet. Ditën e fundit shkova për të parë atomin e famshëm që e fotografojnë të gjithë. Mendoja se gjendej në qendër, por në fakt është larg diku tek 40 minuta me metro. Atomium është ndërtuar si pjesë e Ekspozitës Botërore në 1958 dhe rreth e përqark ka një park të madh. I dërgoj një foto mamit për ta përshëndetur sepse është mësuese kimie dhe prej saj kam mësuar ç’është atomi që fëmijë.
Përveç miqve rastësia më puqi me një histori interesante. Në kuzhinën e hostelit një djalë po gatuante dhe i kerkoj ndihmë për të përdorur mikrovalën. “Nga vjen ti?”-më pyeti. “Nga Shqipëria”-i thashë. Vetem kur ma kthen në anglisht: “Po dhe unë nga Shqipëria jam.” U habita fare se s’dukej prerje shqipesh plus minimumi duhet të dinte dy llafe në gjuhën tonë. Pastaj vazhdon biseda: “Jam nga Izraeli, por kam lindur në Shqipëri gjatë kohës së holokaustit që hapet dyert për ne. Prandaj kur më pyesin u them njerëzve që jam shqiptar sepse falë jush familja ime dhe unë jemi gjalle sot.” U preka shumë... Pasi e pyes në cilin qytet ka lindur më thotë që në Vlorë. Më tregon që kishin blerë dhe një pronë asokohe, por kanë patur disa probleme me njohjen siç kemi gjysma e shqiptarëve. I kërkova ta intervistoj ama më refuzoi me lezet. Me shaka i them se edhe unë babin nga Vlora e kam e pale mos dilnim ndonje fis. Vitin tjetër kishte prerë bileten për t’na vizituar gjatë verës.
Sa botë e vogël! Kam përshtypjen që vendin e bëjnë gjithmonë njerëzit. Ndonjëherë udhëtimet më pëlqejnë më shumë për njerëzit që njoh, se sa për ato që vizitoj./dritare.net

















