Na ndiqni edhe në

Editorial

Antihebraizmi, njolla e turpit që nuk na duhet

Antihebraizmi, njolla e turpit që nuk na duhet

Nga Dritan Hila

Protesta në Tiranë iu ka dhënë krah shumë fraksioneve të shoqërisë shqiptare të cilët po e shfrytëzojnë atë si tribunë për projektet e tyre.

Në mes të kësaj turme amorfe nuk mungojnë edhe militantët islamikë apo fondamentalistët nacionalistë që përrallisin për Shqipërinë nga Arta në Nish, të cilët kanë bërë këtë tubim një arenë për idetë e tyre. Si çdo fanatik edhe ata janë mosmirënjohës madje sulmojnë Edi Ramën pavarësisht se ishte ndërhyrja e tij që e shpëtoi njërin nga thonjtë e Ben Gvir dhe tjetrin nga ato të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës.

Nëse qëndrojmë në fushën lokale, nuk ka ndonjë problem. Por problemi ka filluar kur axhendën shqiptare e kanë marrë në dorë segmentet leftiste, anarkiste dhe antihebraiste, duke shfrytëzuar Tiranën për projektet e tyre.

Do analizoj vetëm këtë të fundit si më të rrezikshmen.

E gjitha e ka bazën në urrejtjen e shoqërive kristiane ndaj hebrejve. Personalisht mendoj se edhe pas Shoas, të ekzekutuar nga gjermanët me entuziazmin e ukrainasve, polakëve dhe francezëve, pjesa e emancipuar e Evropës u ndje e turpëruar nga holokausti që i kishin bërë një popullsie paqësore. Por kjo ndjenjë faji ishte vetëm një kore e cila fshihte qelbin e urrejtjes mijëravjeçare.

Erdhi 7 tetori kur në përgjigje të masakrës së Hamasit ndaj banorëve kufitarë, Izraeli u përgjigj me një forcë që ndoshta ishte e tepëruar. Por ne ende nuk e dimë të vërtetën pasi të dhënat e dëmeve të pësuara nga lufta na jepen vetëm sipas komunikatave dhe numrave të Hamasit, sikurse shpronësimet e palestinezëve në Bregun Perëndimor, bëhen sipas marrëveshjes së Oslos mes Autoritetit Palestinez dhe Izraelit, ku pamjet e shpronësimeve ndodhin në pjesën që i është lënë Izraelit, por ne na paraqiten si krime të Izraelit. Izraelitët gjithashtu ishin ata që e dorëzuan Gazën palestinezëve duke ç’instaluar kolonitë e tyre dhe larguar trupat. Ku në fakt Gaza nuk iu takon as palestinezëve por është territor egjiptian.

Por le ta lëmë historinë pasi faktet nuk vlejnë në mendje fanatike.

Çështja qëndron tek ne, pasi po marrim mbi supe mëkatet e botës duke rrezikuar edhe emrin e mirë që krijuam gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Izraeli nuk na ka bërë asnjë të keqe. Përkundrazi, vetë ndërhyrja e Jared Kushner në sjelljen e një investimi miliarda dollarësh është shenjë dashamirësie. Brandet që do vijnë, e bëjnë vendin tonë një pol që në të ardhmen do jetë në hartën e tyre. Kushner nuk bie vetëm para por sjell edhe një rivlerësim të pozicionit strategjik dhe politik të Shqipërisë. Kush do dëmtonte apo sulmonte një vend ku SHBA ka ngulur flamurin e saj. Kampi Bondsteel në Kosovë është një shembull.

Kushner është i vetmi hebre në këtë sipërmarrje. Fondet janë kuvajtjane. Sa për info, ishte pikërisht Kuvajti dhe petrodollarët e tij që i dhanë Take Off-in ekonomisë turke në vitet dymijë, duke e bërë një nga 20 ekonomitë më prolifike të botës. Atëherë çfarë na kanë bërë të keqe izraelitët, përveçse po ndihmojnë një vend që e quajnë dashamirës ndaj tyre?! Mos duhet që të na sillnin ndonjë xhami në Sazan, dhe atëherë do ishim të gjithë rehat dhe do fillonim të këndonim ezanin pesë herë në ditë duke sharë të pafetë që paratë i çojnë në Greqi e Serbi?!

Pastaj rrjetet kanë hyrë në një spirale komplotiste që do patakste çdo njeri me pesë pare tru, ku shikon nga luanët e tastierës e deri spurdhiakë që nuk kanë mbajtur armë në dorë, që bëjnë emisione të tëra sesi Jared Kushner do marrë Sazanin që ta kthejë në një bazë ushtarake që Izraeli të bllokojë Adriatikun dhe vendosë raketa bërthamore në tunelet e Enver Hoxhës. Ju kripsha trutë. Nuk ka gjë më qesharake. Çdo kapter e di që Sazani pa një bazë logjistike në tokën kontinentale që ta furnizojë nga uji e deri tek municionet, nuk vlen një lek. Izraelit nuk ka çfarë i duhet të bllokojë Adriatikun pasi është një det që nuk hyn në interesat jetike të tij. Izraeli nuk është një fuqi globale dhe aq më pak detare. Në doktrinën e tij është mbrojtja e kufijve dhe shtrirja e një zone tampon me Libanin që përdoret si trampolinë nga Hezbollahu. Izraeli nuk ka as interes e as fuqi të bëjë një shtrirje të tillë të perimetrit ushtarak. Por kujt t’ia thuash, të fandaksurve?!

Hebrenjtë kanë qenë një komunitet i vogël në Shqipëri që kanë shkuar shumë mirë me vendasit. Ende sot familjet ruajnë miqësinë mes tyre pavarësisht se kanë kaluar mbi 35 vite shkëputje. Lobi hebre në SHBA është iniciatori kryesor i bombardimit të Serbisë dhe promovimit të pavarësisë së Kosovës, duke marrë zvarrë gjithë shtetet e NATO-s, pikërisht këto shtete që na plasin buzën për të na dhënë një karrige të BE-së në Bruksel. Vetë Izraeli, në ndryshim nga shumë vende arabe, e njeh pavarësinë e Kosovës, pavarësisht se i krijon kosto me problemin palestinez. Izraelitët dhe hebrenjtë nuk na kanë bërë asnjë të keqe, përkundrazi, na e kanë shpërblyer nderin shumëfish. Ndaj nuk kemi pse i bashkohemi, apo ca më keq të bëhemi flamur i një fryme antihebraike evropiane dhe arabe që qelbet erë gjenocid dhe shovinizëm. /dritare.net