Rama ironizon influenceret: E duan bregun e virgjër për foto me bikini me atë lidhsen e hollë
Dritare.net
Kryeministri Edi Rama ka rikthyer kritikat dhe ironinë ndaj blogerëve dhe influencerëve që kanë mbështetur protestat kundër një investimi në zonën e Zvërnecit, duke i akuzuar se po dëmtojnë imazhin e turizmit dhe zhvillimit ekonomik të vendit.
Gjatë një aktiviteti në Shkodër, me rastin e 35-vjetorit të themelimit të degës së Partisë Socialiste, Rama tha se disa prej protestuesve po kundërshtojnë investimet e huaja dhe po kërkojnë, sipas tij, të kufizojnë zhvillimin e bregdetit shqiptar.
“Ne kemi zgjidhur këtë me Paketën e Maleve, këta thonë do u’a marrin tokat oligarkët. Këta thonë që të gjithë emigrantët që duan të investojnë në pronat e stërgjyshërve, por që nuk e kanë njohur 7501-shin, duhet ta harrojnë ta bëjnë këtë gjë, sepse nuk ka për ta asnjë zgjidhje tjetër sepse duhet të futen te 7501-shi. Po ka kohë Shqipëria të humbasë me këto pallavra? Malin e Zi e keni një vend ku keni hyrë e keni dalë që nga viti 1991. Shikojeni Malin e Zi si ka qenë në 1991 dhe si është sot? Pse nuk na kanë lënë të jemi si Mali i Zi? Sepse duan të nxjerrin të huajt jashtë. Sepse duan ta bëjnë Shqipërinë rezervat për blogera e influencera. Se më thonë pse bëre ashtu dje. Më tregonte një nga ata punonjësit e rinj, ishte njëra te kulla Eifel, kishte bërë një foto kështu dhe dukej 3 herë më e gjatë se unë. Kur e pash thashë do më bjerë sipër. Dhe thoshte ‘u hap koha në Paris’. Natyrisht, se kur ti ke mundësi të shkosh në Paris e Dubai, hallall të qoftë. Por t’i s’ke pse u thua shqiptarëve ‘atje e dua komplet të virgjër bregun e detit, sepse atje do dal me bikini, me atë lidhsen e vogël’. Edhe këta që i shkojnë nga pas në protestë thonë ‘Inshallah i këputet lidhsja’. Kjo tjetra nxirrte kremra, që t’i kur të futeshe atje të bëje solidaritet për zogjtë, të shitej edhe ndonjë krem fytyre. Fytyre m’u duk mua, se kushedi ça fërkohej me të”, vijoi më tej kryeministri Rama./K.C/dritare.net