Territorialja! Çfarë ndodhi mbrëmë në Kuvend!
Dritare.net
Mes tensioneve, përplasjeve dhe një debati maratonë prej 14 orësh, Kuvendi miratoi pak pas mesnate reformën e re administrativo-territoriale. Me 85 vota pro, socialistët i hapën rrugën hartës së re të Shqipërisë me 46 bashki, 11 vite pas ndarjes së fundit.
I pranishëm në seancë vetëm për të marrë pjesë në votim ishte edhe kryeminstri Edi Rama. Por surpriza ishte vota pro e deputetit socialist Erion Braçe, i cili kundërshtoi ashpër projektligjin.
Pak sekonda para votimit, në sallë u shfaq edhe ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, e cila nxiti më shumë tensionet me opozitën. Gazment Bardhi hodhi ujë në drejtim të saj, ndërsa deputetë të tjerë të opozitës qëlluan me shishe në drejtim të kryeministrit Rama. Nuk munguan as vezët.
Në seancën plenare, opozita kërkoi tërheqjen e projektligjit, duke akuzuar mazhorancën se kishte hartuar një ndarje të re territoriale pa konsultimin e qytetarëve. Sali Berisha kërkoi referendum.
“Në rast se ka mbetur një nanogram në thellësitë, në labirintet e ndërgjegjes suaj të mykur, një nanogram pro qytetarëve, detyrimeve që keami ndaj tyre, hidheni poshtë këtë projekt si një projekt armiqësor ndaj tyre. Hidheni poshtë dhe të vendosim sot të shkojmë në referendum”, tha Berisha.
Por kreu i grupit socialist, Taulant Balla, e bëri të qartë se mazhoranca nuk do të tërhiqej nga votimi, duke i ftuar demokratët të bëheshin pjesë e diskutimeve për kompetencat e pushtetit vendor.
“Javën e ardhshme të ngremë Komisionin e Reformës Territoriale, jo për ndarjen, por për pjesën e kompetencave. Keni një javë kohë që të mendoni, që të vini për pjesën e kompetencave. Kjo sot do të votohet”, tha Balla.
Një nga zërat më kritikë ndaj reformës ishte Erion Braçe. Për rreth 19 minuta në foltore, deputeti socialist kundërshtoi mënyrën se si ishte hartuar ndarja e re, duke theksuar se ndryshimet prekin drejtpërdrejt jetën e mijëra qytetarëve.
“Unë mendoj se qëndrueshmëria e reformave vjen nga parimet. Parimet janë shkelur, nuk janë respektuar njësoj kudo në këtë hartë. Ne me këtë ligj sot ndryshojmë jetën e njerëzve në 15 bashki. Madje ndryshojmë jetën e njerëzve edhe në bashkitë e tjera që ato po i përthithin”, tha Braçe.
Pavarësisht kundërshtimeve, Braçe në fund ngriti kartonin jeshil. Pas seancës, ai u tha gazetarëve se arsyet e ndryshimit të qëndrimit do t'i shpjegonte gjatë ditës së premte.
“Jam kundër, do e sqaroj nesër”, tha Braçe teksa po largohej nga Kuvendi.a
Braçe kishte shprehur kritika edhe në mbledhjen e grupit të PS, ku ishte përplasur ashpër me kryeministrin Edi Rama, i cili e kishte paralajmëruar se nëse do të votojë kundër, do të largohej nga grupi. Qëndrim ndryshoi deputeti socialist Vullnet Sinaj, i cili po ashtu ngriti kartonin jeshil në seancë./dritare.net