Rama reagon pas votimit të Territoriales: PS-së nuk i bëhen hesape pa hanxhinë
Dritare.net
Kryeministri Edi Rama ka komentuar përmes një postimi në platformën X miratimin e reformës së re territoriale, e cila u votua në Kuvend me 85 vota pro dhe parashikon reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46.
Rama u shpreh se, përtej debateve të brendshme, spekulimeve dhe zhvillimeve të ndërlikuara politike, votimi i mbrëmshëm i dha vendit një tjetër shtysë modernizuese.
“Përtej të gjithë debateve të brendshme, spekulimeve të jashtme dhe peripecive të një kohe të ngatërruar nga gjithfarë duarsh të pista, ca të dukshme e ca të padukshme po jo të pazbuluara tanimë, votimi i mbrëmshëm në Kuvend i dha Shqipërisë një tjetër shtysë modernizuese”, shkruan kryeministri.
Në vijim të mesazhit, kreu i qeverisë përcolli edhe një mesazh të drejtpërdrejtë politik për kundërshtarët e mazhorancës, duke theksuar se rezultati i votimit tregoi edhe një herë se nuk duhet të bëhen llogari pa marrë parasysh qëndrimin e Partisë Socialiste.
“Dhe nga ana tjetër, u tregoi edhe njëherë të gjithë atyre që e kishin të nevojshme, se nuk duhet të bëjnë asnjëherë ‘hesape pa hanxhinë’ me Partinë Socialiste”, përfundon Rama në postimin e tij.
Miratimi i reformës territoriale erdhi pas një seance maratonë prej rreth 14 orësh, të shoqëruar me debate të forta mes mazhorancës dhe opozitës. Përfaqësuesit e opozitës kundërshtuan ndarjen e re administrative dhe kërkuan që projektligji të tërhiqej, ndërsa mazhoranca vijoi me votimin e tij.
Me miratimin e hartës së re, qeveria synon riorganizimin e pushtetit vendor, ndërsa reforma pritet të vijojë të jetë në qendër të debatit politik për ndikimin e saj në administrimin e bashkive dhe shërbimet ndaj qytetarëve./L.F-dritare.net