Na ndiqni edhe në

Fjorda di një Vend

Të pres në Vjenë, tek Akiu!

Të pres në Vjenë, tek Akiu!

Nga Fjorda Llukmani Kur mora përgjigjen për ardhjen time në Vjenë, fillova duke kërkuar për grupe shqiptarësh. Pyesja kudo nëse njohin edhe shqiptarë të suksesshëm për të cilët mund të shkruaja diçka në dritare. Këshilla e parë erdhi nga Rudina, e cila di më shumë vende se unë. “Kur të shkosh në Vjenë do të takosh Akiun. Është shqiptar nga Maqedonia që ka një restorant pranë Operës kryesore të qytetit.”,- më tha ajo pasi më dha dhe disa detaje të tjera. Pastaj pasi mbërrij këtu filloj e pyes lartë e poshtë për Akiun si personazh. Të gjithë ma sugjeronin të shkoja me patjetër një herë. “Është një nga personat më influencues në botën e operës, jo vetëm në Vjenë. Akiu njeh b*thën e dreqit.”,- më thoshte dikush tjetër. “Te restoranti i Akiut mund të shohësh shpesh edhe Samir Manen veshur thjeshtë fare me Uggs.",-më tha një shoqe. Pas një muaj e pak qëndrimi këtu, u bëra mukajet të shkoja një ditë jave për darkë te “Restorant Sole”. Shkova me një shokun tim që kishte qenë më parë. “Sole” ndodhet dy rrugica pas operës së famshme ‘Staatsoper’. Që nga emri kuptohet që ka kuzhinë italiane. Tavolina kishte edhe jashtë me ngrohje. M'u kujtuan rrugicat e Romës, kështu dukeshin restorantet dhe atje. Ne qëndruam brenda se frynte shumë erë. Sapo hyjmë i drejtohem dikujt në shqip. Thashë me vete nëse pronari është shqiptar, me siguri ka dikë në staf nga gjaku i vet. “Po urdhëroni mirë se erdhët!”,-më kthehet në shqip djali. Nuk ka lezet më të madh se kur dëgjon gjuhën tënde. Në hyrje shikoj dhe një burrë serioz të veshur me kostum, kollare dhe syze të zeza. E njoha nga mënyra e qëndrimit që ishte i zoti i shtëpisë. Pasi e përshëndeta ia bëra me shenjë që të kalonte te tavolina jonë më vonë, sepse kisha dëshirë të bëja dy pare muhabet. Akiu dukej që në fytyrë që ishte pozitiv dhe miqësor. Rrezatonte kulturë e dashamirësi. Restoranti është i famshëm pasi të gjithë këngëtarët e artistët e operës vijnë këtu pasi mbarojnë shfaqjet. E keni parasysh vetë sa e famshme është Vjena për operën. Porosinë e dhamë në shqip, ashtu siç na kishte qejfi. Shoku që kisha me vete e ka babain italian dhe po më shpjegonte që ngjitur me ne është ulur një dirigjent shumë i famshëm. “Hë mi mo se njeh ti atë ee?? Ky ka hap ceremoninë e Piratëve të Karaibeve mi! Është italian por jeton në Amerikë.”,-vazhdonte ai. Në raste të tilla më duket vetja kokrra e injorantes, por në fund të fundit robi s’mund t’i dijë të gjitha. Kur fapp vjen Akiu, zotni burrë, gjithë lezet. Ulet pranë nesh e fillojmë të flasim. Nuk mbaroja së pyeturi. Megjithëse kishte shumë punë, e miq për të takuar e respektuar, qëndroi goxha me ne. “Restorantin e kam hapur para 30 vjetësh. Jetoja në Beograd ku kam studiuar për gastronomi. Kur erdha këtu dhe pashë vendin, asokohe ishte dyqan. E doja pikërisht pranë operës sepse më pëlqen muzika dhe e ndjek shumë. Doja të bëhej vendi ku takoheshin të gjithë artistët e Vjenës, pse jo dhe të botës.”,- thoshte Akiu. Ai më shpjegonte me modestinë më të madhe arritjet e njohjet e tij. Në telefon më tregon dhe foto nga shfaqjet e operës në Vitin e Ri që bëhet nami. Kishte dalë me presidentin e Austrisë disa herë, si dhe me motrën e Obamës. I kërkuam minimumi të bënim një resme me komshiun në tavolinën ngjitur, dirigjentin e famshëm James Conlon. Të gjithë e njohin Akiun. Ky lloj robi fliste nuk e di sa gjuhë d.m.th. Një moment bashkohen me ne dy shokët e mi kroatë, që studiojnë për muzikë në Vjenë. Vetëm kur filloi duke folur gjuhën e tyre me to. Kur ata shohin që Akiu po më begeniste me muhabet, ngelën të habitur. “Fjorda ti je dreq. Edhe këtë e njeh? A e ke idenë sa influencë ka ky zotëri në botën e operës.”- më thotë një prej tyre. “Akiun e njoha sot",-u përgjigjem, "por ju kam thonë që jam nona dhe që njerëzit e mirë i puq muhabeti.”,- u them gjithë mburrje. Atë natë hëngra mbase makaronat më të shijshme të jetës. Shërbimi i përsosur. Le që Akiu u rrinte vetë mbi kokë një herë. Dilte herë pas here me pjata në dorë duke u shërbyer njerëzve. “Mendoj që çelësi i suksesit tënd është që je shumë miqësor me njerëzit dhe i pret aq mirë sepse këtu je në shtëpinë tënde. Zëre se të janë ulur miq në dhomën e pritjes.”,- i them unë. “Moj ti kaq e vogël dhe e kuptove kaq mirë.”- më shprehej ai me përzemërsi. Nëse të bie rruga në Vjenë duhet të shkosh patjetër te “Sole”. Jo vetëm prej Akiut, por sepse është një ndër top restorantet më të mira të qytetit. Sigurisht dhe ideja e pronarit shqiptar e bën më tërheqëse vizitën. U shtofshin njerëz të tillë të suksesshëm që na zbardhin faqen nëpër botë. Mezi po pres të ulem përsëri në një nga qoshet e restorantit të Akiut, tek pi një gotë verë e thur ëndrra me miq ambiciozë. Rudina, të pres!/dritare.net