Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Sunny Hill Festival ndez Prishtinën, Katy Perry ngre flamurin e Kosovës në skenë

Mijëra të rinj janë mbledhur në Kosovë për të ndjekur Sunny Hill Festival, një prej eventeve më të mëdha muzikore në Europën Juglindore.

Mbrëmja e 31 korrikut rezervoi një nga momentet më të veçanta të festivalit, me performancën spektakolare të artistes amerikane Katy Perry. E veshur si astronaute, këngëtarja u ngjit në skenë dhe, gjatë performancës, ngriti flamurin e Kosovës, në një moment që u prit me entuziazëm të madh nga publiku.

Flamuri iu dorëzua artistes nga akrobatët në skenë, ndërsa më pas Katy Perry e vendosi atë në një skenografi që simbolizonte Hënën. Momenti u shndërrua menjëherë në një nga skenat më të komentuara të mbrëmjes.

“Përshëndetje Prishtinë. A jeni shqiptarë, a do të festoni me mua?”, ishte përshëndetja e parë e artistes për mijëra të pranishmit, të cilët kënduan së bashku me të hitet e saj më të njohura.

Gjatë koncertit, në skenë u ngjit edhe një vajzë 10-vjeçare, ndërsa Katy Perry shprehu mirënjohjen ndaj Dua Lipës për ftesën për të performuar në festival.

“Mikja ime Dua Lipa më ka thënë se ky është festivali më i mirë në Europë dhe kam gjithë verën që pres këtë moment”, u shpreh artistja.

Para performancës së Katy Perryt, atmosferën e festivalit e ndezi këngëtarja shqiptare Dhurata Dora, e cila u prit me brohoritje dhe entuziazëm nga publiku.

Sunny Hill Festival do të vijojë edhe gjatë fundjavës me performanca të artistëve të njohur ndërkombëtarë, mes tyre Lewis Capaldi dhe Martin Garrix. Në Kosovë ka mbërritur gjithashtu Dua Lipa, organizatorja e festivalit, i cili edhe këtë vit ka tërhequr mijëra fansa nga Kosova dhe më gjerë./L.F-dritare.net