SPAK i komunikon akuzat përfundimtare Ballukut: Korrupsion, pastrim parash dhe tendera në 9 raste!
Dritare.net

Prokuroria e Posaçme (SPAK) i ka komunikuar më 20 tetor 2026 Belinda Ballukut akuzat përfundimtare në kuadër të çështjes penale ndaj saj.
Sipas njoftimit zyrtar, Balluku akuzohet për shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike, në bashkëpunim, në 9 raste, si dhe për korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike dhe korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë.
Në listën e akuzave përfshihen gjithashtu refuzimi, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive dhe interesave privatë, në dy raste, si dhe pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale, në lidhje me dy pasuri të paluajtshme.
SPAK bën me dije se po vijon veprimet procedurale për t'u komunikuar akuzat edhe personave të tjerë të përfshirë në të njëjtën çështje penale. Detaje të mëtejshme, sipas Prokurorisë së Posaçme, do të bëhen publike në një moment të mëvonshëm.
Njoftimi i SPAK:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka komunikuar sot, më 20.10.2026, të pandehurës Belinda Balluku akuzat përfundimtare për veprat penale të mëposhtme:
“Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim (nëntë herë), parashikuar nga neni 258/2 e 25 i Kodit Penal.
“Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal.
“Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, i parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal.
“Refuzim për deklarimin, mosdeklarimin, fshehjen ose deklarimin e rremë të pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, (dy herë), parashikuar nga neni 257/a, paragrafi i 2-të i Kodit Penal.
“Pastrim i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, parashikuar neni 287, gërma “b” i Kodit Penal, e kryer në rrethana cilësuese “në bashkëpunim dhe më shumë se një herë”, sipas nenit 287/2 të Kodit Penal (për dy pasuri të paluajtshme).
Prokuroria e Posaçme po vijon veprime konkrete procedurale për t’i komunikuar akuzat edhe personave të përfshirë në të njëjtën çështje penale. Detaje të tjera do të bëhen të ditura në një moment të mëvonshëm.", thuhet në njoftim./K.C/dritare.net