
13 qershori i vitit 1920 duhej të ishte një ditë feste për Esad Pashë Toptanin, i cili mbushte 57 vjeç. Por përpara Hotel “Continental” në Paris, dy të shtëna do t’i jepnin fund jetës së tij dhe do të shënonin një nga atentatet më të bujshme të historisë shqiptare.
Në emisionin “Dekalog” në DritareTV, gazetari Roland Qafoku rindërton minutë pas minute skenën e vrasjes, duke sjellë dëshmi dhe dokumente nga hetimi i autoriteteve franceze.
Esad Pasha ndodhej në Paris dhe planifikonte ta kalonte ditëlindjen në shoqërinë e së dashurës së tij franceze, 22-vjeçares Elise Dufour, dhe nipit të tij, Xhemil Bej Vlora. Teksa doli nga hoteli dhe po shkonte drejt automjetit që e priste, pas tij u shfaq studenti shqiptar Avni Rustemi.
25-vjeçari nga Libohova kishte mbërritur në Paris rreth dy javë më parë. Ai nuk e kishte takuar kurrë drejtpërdrejt Esad Pashën, por e njihte fytyrën e tij nga fotografitë.
Sipas rindërtimit të ngjarjes, Rustemi iu afrua nga pas pa thënë asnjë fjalë dhe nxori nga xhepi një revolver “Smith & Wesson”. Ai qëlloi dy herë. Plumbi i parë e goditi Esad Pashën në pjesën ku qafa bashkohet me shtyllën kurrizore, ndërsa i dyti pranë zemrës, në çastin kur trupi po rrëzohej. Vdekja ishte e menjëhershme.
Pas atentatit, Avni Rustemi nuk tentoi të largohej. Ai e lëshoi armën pranë trupit të Esad Pashës dhe priti arrestimin. Në ato momente u godit rëndë nga rojet e hotelit dhe kalimtarët. Fotografitë e botuara në shtypin francez e tregojnë atë me fytyrë të gjakosur dhe sy të ënjtur.
Gjatë dëshmisë së tij përpara komisarit francez Eugène Jublin, Rustemi deklaroi se, kur pa Esad Pashën, iu kujtuan të gjitha dëmet që, sipas tij, ai i kishte shkaktuar Shqipërisë. Ky tronditim emocional, pretendoi ai, e kishte shtyrë të përdorte armën.
Vrasja përpara një prej hoteleve më të njohura të Parisit tërhoqi menjëherë vëmendjen e shtypit francez dhe atij ndërkombëtar. Atentati nuk u trajtua vetëm si eliminimi i një politikani shqiptar, por si përplasja mes dy figurave që përfaqësonin vizione krejtësisht të kundërta për të ardhmen e Shqipërisë.
Historia do të bëhej edhe më e pazakontë gjatë procesit gjyqësor, kur Avni Rustemi, megjithëse e pranoi autorësinë e vrasjes, u shpall i pafajshëm nga juria franceze dhe u kthye në Shqipëri si hero./dritare.net