Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Operacioni i SPAK, 3 masa sigurie të ekzekutuara dhe kontrolle në disa qytete

SPAK ka zgjeruar hetimet në kuadër të dosjes së Ergys Agasit, duke ekzekutuar deri më tani tre masa sigurie dhe duke kryer kontrolle në disa ambiente në Tiranë dhe Durrës.

Në pranga kanë rënë shefi i Laboratorit Shkencor të Policisë së Shtetit, Fatjon Kalluçi, një tjetër ekspert i kriminalistikës dhe biznesmeni Embro Sulejmani, nga Durrësi. Për të tre është ekzekutuar masa e sigurisë “arrest në burg”.

Sulejmani u arrestua në Durrës, ndërsa SPAK ka kryer kontrolle edhe në zonën e Shkozetit, ku familja e tij rezulton të ketë një kompani aktiviteti tregtar.

Në të njëjtin operacion është përfshirë edhe drejtuesja e SHISH, Vlora Hyseni. GJKKO ka caktuar ndaj saj masën “arrest në shtëpi” dhe pezullimin nga detyra. Hyseni dyshohet për “përkrahje të autorit të krimit” dhe “zbulim të akteve ose të dhënave sekrete”. Sipas burimeve, masa ndaj saj ende nuk është ekzekutuar pasi ndodhet jashtë vendit.

Në fokus të hetimit janë edhe pamjet dhe materialet e sekuestruara në zyrën e Ergys Agasit, të cilat, sipas burimeve, kanë ndihmuar SPAK-un të zgjerojë hetimin dhe të hapë një fraksion të ri të dosjes.

Ndërkohë, kontrolle janë zhvilluar edhe në banesën e Ilir Prodës, ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Proda është paraqitur në SPAK, ku është marrë në pyetje.

Operacioni vijon, ndërsa prokurorët Bledar Maksuti dhe Altin Dumani po hetojnë lidhjet mes personave dhe rrethanave të dala gjatë hetimit ndaj Ergys Agasit, i cili u arrestua më 26 gusht pas rreth tetë muajsh në arrati.

Personat e përmendur në këtë procedim prezumohen të pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë./L.F-dritare.net