Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Si u vra Dedë Gjo Luli!

Vrasja_e_Ded_Gjo_Lulit_-_100_vrasjet_Dekalog_nga_Roland_Qafoku_1786628871162_kbrsn4e_clip_3_screen_3.jpg

Vrasja e Dedë Gjo Lulit, më 24 shtator 1915, mbetet një nga ngjarjet më tragjike dhe më të diskutuara të historisë shqiptare. Prijësi 75-vjeçar u vra nga forcat serbe në Orosh të Mirditës, pasi kishte shkuar për të kërkuar ndalimin e masakrave ndaj popullsisë civile.

Sipas fakteve të paraqitura në emisionin “Dekalog” nga gazetari Roland Qafoku, Dedë Gjo Luli ishte paralajmëruar të mos shkonte në takim, për shkak të rrezikut të një kurthi. Megjithatë, ai vendosi të përballej me komandën serbe, me shpresën se do të ndalte gjakderdhjen.

Një ditë përpara udhëtimit fatal, Dedë Gjo Luli la një testament për Norën, nusen e djalit të tij. Ai kërkonte që, pas vdekjes, familjarët të shisnin sendet e tij personale dhe të paguanin borxhet që kishte marrë për blerjen e armëve dhe fishekëve për luftëtarët shqiptarë.

“Kur të vdes, shitni gjërat e mia dhe paguani borxhin e armëve që mora për të luftuar”, ishte amaneti që la pas.

Testamenti dëshmon se Dedë Gjo Luli nuk luftoi për përfitime personale. Përkundrazi, ai kishte hyrë në borxhe për të siguruar armatimin e nevojshëm për mbrojtjen e trojeve shqiptare.

Sipas dëshmive historike të paraqitura në emision, ai u rrethua nga rreth 30 ushtarë serbë, u lidh dhe më pas u vra me plumba e bajoneta. Bashkë me të u ekzekutuan edhe shtatë shoqërues, ndërsa disa anëtarë të tjerë të delegacionit arritën të shpëtonin.

Edhe pse ekzekutimi nga forcat serbe paraqitet si fakt, organizimi i kurthit vazhdon të jetë objekt debatesh. Një variant ngre dyshime mbi drejtues lokalë të kohës, ndërsa një tjetër përmend njerëz të lidhur me Esad Pashë Toptanin. Megjithatë, këto mbeten variante historiografike dhe jo përfundime të pakontestueshme.

Pas vrasjes, trupi i Dedë Gjo Lulit u gjet i zhveshur nga armët dhe veshjet tradicionale, me plagë të shumta. Brutaliteti i ekzekutimit tronditi opinionin shqiptar dhe u përjetësua në rapsoditë popullore, në shkrimet e Risto Siliqit dhe në kujtesën kombëtare.

Ismail Qemali e cilësoi Dedë Gjo Lulin si “pushkë e ngrehur e Shqipërisë”, ndërsa Avni Rustemi kërkoi ngritjen e një monumenti për njeriun që e përshkroi si “burrë pa frikë e pa njollë”.

Testamenti i lënë vetëm një ditë përpara vrasjes mbetet një nga dëshmitë më të forta të sakrificës së tij: një prijës që humbi jetën dhe la pas borxhet e armëve që kishte blerë për lirinë e Shqipërisë./E.P-dritare.net