
Si desh përfundova në burg, në qytetin më të pasur të Austrisë!
Dritare.net

Nga Fjorda Llukmani Salzburgu mbahet si qyteti më i pasur i Austrisë dhe me të ardhurat më të larta. E kupton kollaj që kur shkel këmbën nga makinat, veshjet e njerëzve etj. Për mua deri tani është edhe më i bukuri. Ngjan si qytet përrallash dhe shuuumë piktoresk. Prandaj sapo pashë në Facebook që atje do të zhvillohej trajnim për gazetarët e rinj u nxita të shkoj. Titulli i trajnimit ishte ‘gazetaria me smartphone’ dhe mbahej 3 ditë në Anif, periferi (i thënçin) e Salzburgut.
Hoteli ynë ishte me 4 yje por kushtet e standardet që ç’të të them. S’të fal austriaku për shërbim e turizëm. Çuditërisht çdo pjesëmarrës kishte dhomën e vet personale me vaskë dhe pamje nga ballkoni.
Luks kaq i madh nëpër trajnime s’më kishte bërë vaki ndonjëherë sepse zakonisht kam ndarë dhomën me të tjerë.
Glen Mulcahy quhej zotëria që na trajnoi ato ditë. Kishte punuar gjithë jetën si drejtor teknik në televizion me një qerre mjete pune. Ama rreth vitit 2013 kuptoi se s’na duhen më kamerat apo furgonat e live, mjafton një smartphone me internet për të bërë lajmin. Glen është padyshim trajnuesi më i mirë që kam njohur. Energjik, i palodhur dhe i kishte të gjitha mjetet për të na mësuar si të shkrepim foton perfekte, si ta bëjmë më të bukur, planet që duhet të marrim kur xhirojmë me video, si ta punojmë në montazh etj. Në fillim na jepte leksione duke shfaqur ekranin e iPhonit në projektor, pastaj na fuste në punë e na kritikonte sesi ta bënim më mirë. Organizimi bëhej nga Webster University në Vjenë dhe një agjenci që jepte fonde për trajnimin e gazetarëve të rinj. Imagjino ç’bën bota d.m.th! Na pritën e na përcollën si zotërinj dhe gazetarët e zonës.
Në punën përfundimtare duhet të xhironim e të editonim videon nëpërmjet telefonit. Unë isha në grup me një djalë më psikopat se vetja. Dy njerëz që fluturojnë me presh, aspak me këmbë në tokë. Glen na sugjeroi të gjenim një personazh edhe për ta intervistuar që historia të quhej e plotë. Na dha mikrofonë të vegjël që quhen mizë në gjuhën e televizionit. Kisha një shok që këndonte opera gjatë verës në Salzburg dhe ramë dakord që do të bëja atë si personazh. Kur në momentin e fundit ma ktheu. U mërzita shumë… Por në fakt gazetari tamam duhet ta ketë një personazh apo temë rezervë.
Bashkë me këtë karafilin kërkuam në internet dhe pamë për gjërat që mund të bënim në Anif. Na mori mendjen një kështjellë a kala quajeni si të doni. Ishte tamam si në filmat e Disney me catinë me cepa edhe me flamuj në formë trekëndëshi që valëvitej. ‘Ja pra e gjetëm çfarë do bëjmë’- i them atij. ‘Një ditë turistike me biçikleta në Kalanë e Anifit.’ Sigurisht as ai nuk kundërshtoi se ishte më aventurier se unë.
Gjatë rrugës na duhej të filmonim shpeshherë. E vendosnim telefonin me tripodin në një cep, ktheheshim mbrapsht dhe e fillonim nga e para atë që bënim. S’është kollaj të bësh video ore se kur shikoni përfundimin ju duket gallatë dhe e thjeshtë. Afrohemi diku afër kalasë e nuk shikonim asgjë. Nga të katra anët e mbuluar me pemë e gjethet të pengonin pamjen. I hipa pak biçikletës edhe ma zuri syri një moment. ‘E gjeta kalanë ej është aty’-i them shokut.
Por si të pavëmendshëm që jemi, nuk e dinim që kjo ndërtesë kaq e bukur ishte pronë private, e mund ta shikoje vetëm nga larg por shumë pak. I ramë rreth e përqark, ndaluam dhe te dera kryesore, por asgjë. S’kishim si të ktheheshim pa asnjë filmim. Si aventurierë që jemi, të dy propozuam të kalonim rrjetën e të futeshim pak pa leje, sa për ta filmuar nga afër. Tek kaloja urën më kapi dhe frika. Në majë të Austrisë, në qytetin më të pasur, vij unë nga Shqipëria e futem në pronë private që pale sa miliarder e fuqi ka pronari. Me pak fjalë direkt për burg.
‘Kam frikë se po na kapën unë e hëngra një herë se jam e huaj. Hajde xhirojmë dy plane dhe lëvizim’- i thosha karafilit. Mazalla se e vriste mendjen ai, ishte shumë i vendosur ta çonte punën deri në fund e s’kishte aspak frikë. Kur e pamë kështjellën nga afër që të dy ngrimë! ‘Oh Zot’- thamë njëzëri. Vonë mësuam se as banorët se dinin kush është pronari i kështjellës dhe ky mbahej si sekreti më i madh i Anifit. Thuhej që daton që në vitin 1520 dhe ka qenë seli peshkopësh, pastaj është përdorur si gjykatë deri në shekullin 19.
Në Anif Palace janë xhiruar edhe disa filma si për shembull: The Great Race dhe The Slipper që ishte si shtëpia e Hirushes. Gjithsesi në Google thuhet që pronarët janë familja Von Moy të cilët e kanë rikonstruktuar rreth viteve 2000. Nejse njerëz të kamur në para shkurt muhabeti. E rëndësishme është që ne kishim historinë për ta shfaqur ditën e fundit të trajnimit.
Të gjithë u shkrinë së qeshuri kur e panë, por morëm sugjerime që mos ta publikojmë në YouTube se nuk i dihet, i shkrepet familjes të na hedhë në gjyq për shkelje në pronë private. Në fakt edhe ajo më duhej… Ndiqeni videon mëposhtë e nguliteni në mendje që ajo çfarë ju duhet është thjesht një telefon dhe një histori e bukur për të treguar. Ku ta gjesh historinë? Mos harro: të gjithë ne kemi diçka për të thënë, mjafton të jesh kurioz e të kërkosh/dritare.net

















