Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Shqipëria po bëhet destinacioni i preferuar i francezëve, BFM Business rendit arsyet

Shqipëria po fiton gjithnjë e më shumë vëmendjen e turistëve francezë si destinacion për pushime. Kanali francez BFM Business i ka kushtuar një analizë rritjes së interesit për vendin tonë, duke renditur arsyet që po e bëjnë Shqipërinë një alternativë të preferuar në Mesdhe.

Sipas të dhënave të raportuara nga BFM Business, rezervimet nga Franca drejt Shqipërisë janë rritur me 288.2% krahasuar me një vit më parë, duke dëshmuar rritjen e fortë të interesit të turistëve francezë.

Çmimet, një nga avantazhet kryesore

Një nga faktorët kryesorë që po tërheq pushuesit është kostoja më e ulët në krahasim me destinacione të tjera të njohura europiane si Greqia, Italia apo Kroacia.

BFM Business sjell si shembull çmimin e një vakti në një restorant ekonomik, i cili vlerësohet rreth 8 euro në Shqipëri, kundrejt rreth 12 eurove në Kroaci, 15 eurove në Greqi dhe 17 eurove në Itali.

Edhe akomodimi mbetet konkurrues, me oferta që sipas medias franceze mund të gjenden me më pak se 100 euro për dy net, në varësi të periudhës dhe destinacionit.

Më shumë fluturime dhe akses më i lehtë

Një tjetër arsye është rritja e lidhjeve ajrore me Tiranën, veçanërisht përmes kompanive low-cost.

Përmirësimi gradual i infrastrukturës rrugore dhe turistike po e bën gjithashtu më të lehtë eksplorimin e vendit. Shqipëria, dikur një destinacion më pak i njohur për turistët europianë, po shndërrohet në një alternativë gjithnjë e më të aksesueshme për pushime.

Riviera shqiptare, magneti i turistëve

Në analizën e saj, BFM Business i kushton një vëmendje të veçantë peizazheve shqiptare, veçanërisht Rivierës.

Ujërat e kaltra, malet dhe fshatrat tradicionalë janë ndër elementet që tërheqin turistët, ndërsa Ksamili, me plazhet dhe ishujt e tij të vegjël, mbetet një nga destinacionet më të promovuara në rrjetet sociale.

Por Shqipëria nuk ofron vetëm turizëm bregdetar. Peizazhet malore, qytetet historike dhe trashëgimia kulturore po i japin vendit një ofertë më të larmishme turistike.

Përballë rritjes së numrit të vizitorëve, Shqipëria ka ndërmarrë edhe Strategjinë Kombëtare të Turizmit 2030, e cila synon rritjen e të ardhurave nga turizmi, përmirësimin e infrastrukturës dhe mbrojtjen e mjedisit nga pasojat e mbipopullimit.

Nga çmimet konkurruese te Riviera dhe aksesi më i lehtë, Shqipëria po fiton terren në hartën turistike europiane dhe këtë verë duket se po kthehet në një nga zgjedhjet e preferuara të pushuesve francezë.