Kredia 302 mln dollarëshe nga SHBA-të, Ambasada amerikane në Tiranë: Do të mbështesë modernizimin e mbrojtjes shqiptare
Dritare.net

Për Ambasadën e SHBA në Tiranë, kredia prej 302 milionë dollarësh e miratuar në kuadër të programit Foreign Military Financing (FMF) për modernizimin e Forcave të Armatosura shqiptare është një mbështetje për Shqipërinë në përmbushjen e angazhimit për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes në 5% të PBB-së deri në vitin 2035.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, selia diplomatike bëri të ditur ratifikimin e marrwveshjes dhe theksoi se ajo synon të mbështesë përparimin e vendit drejt përmbushjes së Angazhimit të Hagës për Mbrojtjen.
"Sot, Shtetet e Bashkuara kanë kënaqësinë të njoftojnë ratifikimin dhe nënshkrimin nga Shqipëria të një kredie të re prej 302 milionë dollarësh në kuadër të programit Foreign Military Fund (FMF), e cila do të mbështesë përparimin e Shqipërisë drejt përmbushjes së Angazhimit të Hagës për Mbrojtjen, që parashikon rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen në 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) deri në vitin 2035”, thuhet në postimin e Ambasadës së SHBA në Tiranë.
Marrëveshja për kredinë prej 302 milionë dollarësh u miratua javën e shkuar nga Kuvendi i Shqipërisë me 74 votat e mazhorancës, pasi u fut në rendin e ditës me procedurë të përshpejtuar. Partia Demokratike bojkotoi seancën, e cilësoi procedurën antikushtetuese dhe e çoi çështjen në Gjykatën Kushtetuese.
Sipas autoriteteve amerikane, kredia do të mbështesë modernizimin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë përmes blerjes së kapaciteteve me origjinë amerikane, në funksion të përmbushjes së angazhimeve të vendit si aleat i NATO-s.