Kaos në Kuvendin e Kosovës, Ganimete Musliu lag me ujë Donika Gërvallën
Dritare.net

Përplasje dhe tensione janë shënuar në Kuvendin e Kosovës, gjatë aktivitetit të përvitshëm me mërgatën.
Ministrja në detyrë e Drejtësisë dhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Donika Gërvalla, ka hyrë në sallën plenare për të takuar bashkatdhetarët, por është përfshirë në një përplasje me deputetet e PDK-së, Blerta Deliu, Eliza Hoxha dhe Ganimete Musliu.
Deputetet e PDK-së i kanë kërkuar Gërvallës që të thërrasë seancën konstituive të Kuvendit, duke i drejtuar thirrjet: “Thirre seancën” dhe “Boll me performanca, thirre seancën”.
Gërvalla u është përgjigjur duke i ftuar deputetët e PDK-së në takim për të gjetur një marrëveshje.
“Ejani në takim, pse s’po vini, pse po tuteni?”, ka deklaruar Gërvalla.
Situata është tensionuar më tej kur deputeti i PDK-së, Artan Behrami, e ka akuzuar Gërvallën se ka dërguar dosje në Gjykatën Speciale kundër UÇK-së. “Mos rrej”, i është përgjigjur Gërvalla.
Në një moment, deputetja Ganimete Musliu e ka lagur me ujë Donika Gërvallën, duke shkaktuar reagime dhe përplasje të tjera mes deputetëve.
Konflikti më pas është zhvendosur edhe te deputeti i Vetëvendosjes, Ardian Gola, ndaj të cilit deputetët e PDK-së kanë përsëritur kërkesën për thirrjen e seancës konstituive.
Përplasjet kanë vijuar edhe me deputeten Arbërie Nagavci, ndërsa aktiviteti i Kuvendit me mërgatën është pezulluar përkohësisht për shkak të situatës së tensionuar në sallën plenare.