Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Debati për Kosovën, Rama: Qëndrimi im ishte preciz

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj kritikave të ardhura pas deklaratës së tij se “Serbia e humbi Kosovën”, në kuadër të debatit për lumin Ibër.

Në një reagim në rrjetin social X, Rama e cilëson qëndrimin e tij si “preciz”, ndërsa akuzon atë që e quan “turbofolk nacionalist” në Prishtinë dhe Beograd se ka reaguar duke e cilësuar atë si “tradhtar”.

Rama thotë se reagimet ndaj deklaratave të tij janë një lloj “laboratori” për të matur saktësinë e qëndrimeve që mban për Serbinë.

Sipas tij, sa herë që kundërshtarët e tij reagojnë ashpër në rrjetet sociale, ai e konsideron këtë si një tregues se e ka përmbushur detyrën e tij si kryeministër, në raport me Shqipërinë, Kosovën dhe paqen e bashkëpunimin rajonal.

Duke iu referuar debatit për lumin Ibër, Rama shkruan se reagimi i tij ishte i qartë kundër asaj që e konsideron provokim të Serbisë. Ai përmend edhe deputeten britanike Alicia Kearns, e cila, sipas Ramës, e ka përshëndetur qëndrimin e tij.

“Që Serbia e humbi Kosovën është thjesht një fakt”, shkruan Rama, duke shtuar se kjo është një e vërtetë që, sipas tij, është e vështirë për t’u pranuar si nga nacionalistët në Beograd, ashtu edhe nga ata në Prishtinë.

Në fund, kryeministri e cilëson përplasjen e tyre rreth kësaj deklarate si “një tjetër kompliment për diplomacinë e Shqipërisë, Europës së Ballkanit”.