Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Shqipëria, Greqia dhe Maqedonia e Veriut bashkojnë forcat për UNESCO-n, BE jep 2 milionë euro

Shqipëria, Greqia dhe Maqedonia e Veriut bashkojnë forcat për

Shqipëria, Greqia dhe Maqedonia e Veriut kanë nisur përgatitjet për hartimin e një kandidature të përbashkët, me synimin që rajoni i Prespës të përfshihet në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Bashkimi Europian do të mbështesë këtë proces me 2 milionë euro për hartimin e studimit të fizibilitetit.

Ministri shqiptar i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, u takua sot në Prespë me homologen greke, Linja Mendoni, ministre e Kulturës, dhe ministrin e Kulturës dhe Turizmit të Maqedonisë së Veriut, Sedat Sulejmani, për të diskutuar nisjen e procesit të përbashkët.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Gonxhja theksoi rëndësinë e Prespës si një pasuri e përbashkët natyrore, historike dhe kulturore, që lidh të tre vendet.

“Prespa na bashkon përmes natyrës, historisë dhe kulturës së saj. Duam ta mbrojmë këtë pasuri dhe të krijojmë më shumë mundësi për komunitetet që jetojnë këtu dhe më shumë turizëm të qëndrueshëm”, shkroi ai.

Shqipëria, Greqia dhe Maqedonia e Veriut bashkojnë forcat për

BE mbështet kandidaturën dhe projektet e përbashkëta

Përveç financimit të studimit të fizibilitetit, projekti ACT4PRESPA, i financuar nga Bashkimi Europian, bashkon institucionet e Shqipërisë, Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut për konservimin, digjitalizimin dhe promovimin e vlerave të trashëgimisë së Prespës së Madhe dhe të Vogël.

Kandidatura synon gjithashtu zhvillimin e itinerareve të përbashkëta turistike, organizimin e misioneve kërkimore dhe ekspeditave për njohjen e Prespës dhe Ohrit, si dhe nxitjen e shkëmbimeve artistike, sportive dhe rinore mes tre vendeve.

Shqipëria, Greqia dhe Maqedonia e Veriut bashkojnë forcat për

Projektet në anën shqiptare të Prespës

Gonxhja veçoi edhe disa ndërhyrje që kanë pasuruar ofertën kulturore dhe turistike në pjesën shqiptare të rajonit. Mes tyre janë restaurimi i pikturave murale në Kishën e Shën Marisë në Maligrad, ndriçimi i kishës dhe i shtegut, si dhe Shtëpia Muze e Sterjo Spasses në Gollomboç.

Përfshirja e Prespës në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s synon të rrisë vëmendjen ndërkombëtare ndaj rajonit, të forcojë mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë së tij dhe të krijojë mundësi të reja për zhvillimin e qëndrueshëm të komuniteteve lokale dhe turizmit./L.F-dritare.net