Na ndiqni edhe në

Shqip

Lum ti, o Shaban Haxhia për zemrën dhe shpirtin që ke!

Lum ti, o Shaban Haxhia për zemrën dhe shpirtin që ke!

Nga Skënder Demaliaj
Në Operacionin e Shkurtit të vitit 1944, forcat partizane u tërhoqën nga Dega në Dobrej, pastaj në Pac e vazhduan më tej rrugëtimin...

Në këtë grup bënin pjesë Sadik Bekteshi, Rexhep Haka, Shpend Dega, Zogë Dega, Sokol Rama, Bajram Tahiri, Adem Ibishi, Hamëz Avdyli, Shaban Haxhia, dy vëllezërit e tij Hasan e Bajram Haxhia. Me ta ishte edhe partizani i plagosur italian, Mikeli. Shabani dha urdhër që ta linin në një stan në Fushë-Rragame. Porositi, gjithashtu vëllanë e tij, Hasanin të shkonte në Tutaj tek Maxhun Nimani që të shkonte menjëherë e ta merrte tek stani e ta çonte në shtëpinë e tij, ta mbante e ta mjekonte. Grupi u drejtua për në shtëpinë e Shabanit në Demaliaj, kurse Hasani shkoi me shpejtësi në Tutaj, i transmetoi porosinë e Shabanit.

- Unë do të shkoj e do ta marr, mos u bë merak, - i tha Maxhuni. Nuk e përmbajti veten dhe shtoi: - Nuk po e kuptoj se çfarë po bëni, ju djemtë e Haxhi Mehmetit... Ju italianët ju vranë vëllanë, në Babaj të Bokës, alamet djali që nuk e ka patur shokun në Bytyç e në Malësi të Gjakovës, kurse ju po kujdeseni për italianin. I tha këto fjalë me dhimbje, por edhe me revoltë. - Ik, ik shpejt e merre, - i tha Hasani. Kujdesu për të sikur të isha unë.

Në rrugë e sipër, duke çarë me vështirësi borën, Maxhuni fliste me vete me zë të lartë: “Lum ti, o Shaban Haxhia për zemrën dhe shpirtin që ke!”

Maxhuni e mbajti fjalën, Mikeli u shërua dhe qëndroi në shtëpinë e tij deri më 29 maj 1945 kur u bë largimi i të gjithë italianëve të mbetur në Shqipëri për në shtëpitë e tyre. 15 mijë ushtarë e oficerë u dorëzuan tek Ushtria Nacionalçlirimtare pas kapitullimit të Italisë, 1500 prej tyre u rreshtuan në forcat partizane shqiptare për të luftuar pushtuesin gjerman. Në Aradhën “Curri- Rexhepi” kishte 30 italianë. Në Brigadën e Parë Sulmuese ishte batalioni “Antonio Gramshi” me 150 luftëtarë italianë. Ndryshe nga çfarë ndodhi në Greqi, ku u masakruan 10 mijë italianë në Qefali, në Shqipëri u mbrojtën, u ruajtën, u strehuan dhe u ushqyen nga familjet shqiptare.

Oficeri italian, i cili qëndroi në shtëpinë e Riza Tafës, fshati Darzezë i tregoi një ditë për operacionin ndëshkimor, të ndërmarrë, më 5-11 shkurt 1943, në fshatrat e Gramshit, ku kishte marrë pjesë edhe ai. Ishin vrarë 11 burra e djegur 60 shtëpi. Në mes të të vrarëve ishte edhe kunati i Rizait, Hasan Dyrmishi. Por ai nuk u hakmorr ndaj tij, nuk e preu në besë, e trajtoi shumë mirë dhe e përcolli për në Itali./dritare.net