
Vetëm një muaj para se pushteti të kalonte nga Berisha te Rama, në 5 prill 2013, pak javë para zgjedhjeve, Parlamenti Shqiptar miratoi Ligjin nr. 116, ratifikoi marrëveshjet për projektin TAP dhe furnizimin me gaz natyror për Shqipërinë. Sipas këtij ligji, vendit tonë i takojnë të paktën 250 milionë metër kub gaz në vit, me mundësi për sasi edhe më të mëdha.
Në emisionin “Shqip” nga Rudina Xhunga me te ftuar Pajtim Bello, ish-zëvendësministër dhe ekspert i fushës, u theksua se, megjithëse kuadri ligjor ekziston dhe detyrimet janë të shkruara, në praktikë Shqipëria nuk ka ende gaz në rrjet dhe as një strategji të plotë gazifikimi të territorit.
“Marrëveshjet janë firmosur, ligji ekziston, por gaz në sobë ende nuk ka.”, tha në studio, duke ngritur pyetjen pse zbatimi ka mbetur prapa dhe kush mban përgjegjësi për këtë boshllëk mes ligjit dhe realitetit.
Rrjeti i vjetër i gazit i rrënuar, hidrocentralet e sigurisë të privatizuara: kapacitete të humbura për Shqipërinë!
Përveç TAP-it dhe premtimeve të pambajtura, emisioni “Shqip” solli në vëmendje edhe gjendjen e infrastrukturës së brendshme energjetike në Shqipëri. Rrjeti i vjetër i gazit, i ndërtuar para viteve ’90, është në pjesën më të madhe i rrënuar ose i shitur për skrap, duke lënë vendin pa shtylla funksionale për gazifikim.
Një tjetër pikë kritike është privatizimi i katër hidrocentraleve, që dikur konsideroheshin pjesë e paketës së sigurisë energjetike kombëtare, përveç Kaskadës së Drinit.
“U hoqën nga gjendja e shtetit dhe iu dhanë klientelizmit, pa i shërbyer më sistemit dhe sigurisë energjetike,”
Sipas ekspertëve, këto vendime e bëjnë edhe më të vështirë sot garantimin e furnizimit të qëndrueshëm me energji, në një kohë kur krizat ndërkombëtare dhe çmimet e larta e bëjnë sigurinë energjetike çështje strategjike kombëtare./dritare.net