Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Shpataraku: “Agasi më bëri autostop”! SPAK: E mori në kompleksin ku fshihej

Shpataraku: “Agasi më bëri autostop”! SPAK: E mori në

Ish-drejtori i Policisë së Elbasanit, Uljan Shpataraku, ka mohuar në dëshminë e tij se njihte biznesmenin Ergys Agasi, i cili u kap në makinën e tij gjatë operacionit policor.

Sipas vendimit të Gjykatës së Posaçme, Shpataraku ka deklaruar se e kishte marrë Agasin në makinë krejt rastësisht, pasi ky i fundit i kishte bërë shenjë në rrugën e vjetër të Elbasanit.

Në dëshminë e tij, Shpataraku ka pretenduar se personi që hipi në makinë iu prezantua me emrin “Berti” dhe i tha se merrej me dyer alumini.

“Gjatë kthimit nëpërmjet rrugës së vjetër të Elbasanit, një person i kishte bërë shenjë dhe ai e kishte marrë në makinë. [...] Ky i fundit i kishte thënë se quhej Berti dhe merrej me dyer alumini. Deklaroi se në atë moment nuk e kishte ditur se bëhej fjalë për Ergys Agasin”, thuhet në dosje.

I pyetur se si ishte e mundur që nuk e kishte njohur Agasin, Shpataraku ka deklaruar se ai ishte i maskuar në një mënyrë që nuk e lejonte ta identifikonte.

“Si mund ta njihja unë z. Agasi që ishte në kërkim kur z. Agasi ishte kur hipi në makinën time me mjekër, me kapele, me shapka”, ka deklaruar Shpataraku.

Por versioni i tij nuk përputhet me atë që, sipas SPAK, tregon vëzhgimi policor.

Nga të dhënat e paraqitura në dosje rezulton se, në orën 11:59, automjeti Audi A6 që drejtohej nga Shpataraku është parë duke hyrë në kompleksin e vilave në Durrës, ku policia kishte lokalizuar Ergys Agasin.

Vetëm tre minuta më vonë, në orën 12:02, automjeti është parë duke dalë nga parkimi nëntokësor. Sipas raportit të vëzhgimit, në sediljen e parë të pasagjerit ndodhej një person që dyshohej se ishte Agasi.

Makina është ndjekur nga policia në drejtim të Elbasanit dhe është ndaluar pranë Plepave. Në sediljen e pasagjerit, sipas dosjes, është identifikuar pikërisht Ergys Agasi.

Këto të dhëna janë përdorur nga SPAK për të kundërshtuar versionin e dhënë nga Shpataraku gjatë marrjes në pyetje.

Gjykata e Posaçme ka caktuar ndaj ish-drejtorit të Policisë së Elbasanit masën e sigurisë “arrest në burg”, ndërsa rrethanat e takimit dhe udhëtimit të tij me Ergys Agasin janë pjesë e hetimeve të dosjes.

Në këtë fazë, pretendimet e palëve dhe të dhënat e përfshira në vendimin gjyqësor mbeten pjesë e procesit hetimor dhe gjyqësor./L.F-dritare.net