Nga Dorina Hoxha
Kosova një vend filiz i demokracisë prej ku ende vrasjet dhe dhuna ndaj grave të post luftës
është e freskët dhe mban era dhimbje në çdo familje shqiptare të kosovës. Vitet e fundit
sidomos pas situatës pandemike të korona virusit shoqëria kosovare ka shfaqur një tendencë
në rritje të numrit të viktimave të dhunës në familje. Ngrihesh në mëngjes dhe direkt në lajme
lexon një tjetër njoftim për një grua që u vra në Kosovë.
Përse po vriten gratë në Kosovë kaq shpesh?
Çdo javë po vritet nga një grua, një nënë fëmijësh, një bashkëshorte, një motër, një bijë e
dikujt. Trishtimi njerëzorë të kaplon kur nga pavetëdije të del fjalia:- Për cfarë e ka vrarë?
Nuk ka rëndësi qëllimi i aktit, akti nuk duhet të kryhej në asnjë formë dhe mënyrë. Gratë janë
dhe do mbeten të pafuqishme për tu shprehur për të reaguar dhe për të raportuar dhunën.
A ka justifikim dhuna? Në cilën kulturë njerëzore dhuna që ushtrohet ndaj një njeriu gjeneron
dashuri për dhunuesin?! Si mundet që e njëjta shoqëri prodhon standarte sjelljesh dhe
edukimi ekstremisht të ndara, por realisht të aftërta nën të njëjtën strehëz: dhunuesin edhe
viktimën?! Gratë e nënshtruara të cilat i shtrojnë sofrën vrasësit të tyre, pak a shumë është si
të jetosh me ‘engjëllin e vdekjes’ çdo ditë, ti lash rrobat, ti përgatisësh darkën, ti përgatisësh
kafen dhe çajin, të kujdesësh edhe për vjerrin dhe vjerrën, farefisin e vrasësit, të kujdesësh
edhe në plotësimin e tekave bashkëshortore intime dhe po e njëjta grua pasi ke mbajtur kaq
shumë pesha morale dhe familjare duket të jetë në fund edhe tabela e tij e qitjes me armë! Një
tension familjarë që përshkallëzohet në krim vjen si pasojë e një paaftësie komunikuese ose
nga mungesa e komunikimit në familje, mes bashkëshortëve apo edhe nga raporti prind-
fëmijë. Roli prindërues është tepër i domosdoshëm në formimin edukues dhe të ngritjes së
themeleve të forta të komunikimit. Një studiues i njohur i quajtur Gabor Maté do ti
përcaktonte prindërit si rregullatorët biologjik të sistemeve të papjekura fiziologjike dhe
emocionale të fëmijës. Sipas Maté dashuria prindërore nuk është thjeshtë një përvojë
emocionale e ngrohtë dhe e këndshme; ajo është një gjendje biologjike thelbësore për një
zhvillim të shëndetshëm fiziologjik dhe psikologjik. Krimet ndaj grave edhe një herë na
risjellin trishtueshëm faktin e vetëm: rëndësinë e komunikimit në familje dhe specifikisht në
marrëdhëniet bashkëshortore. Shoqëria aktuale kosovare për shkak edhe të dinamikave
historike të post luftës dhe situatave konfliktuale të vazhdueshme fundi i të cilës mund të jetë
i paparashikueshëm janë nga treguesit sesi kjo shoqëri po gjeneron popullata ankthioze dhe
traumatike.
Ankthi kolektiv i trashëguar nga post lufta dhe i patrajtuar po jep efektin e tij social. Çerek shekulli ka kaluar nga vrasjet makabre në trojet shqiptare, sot brezi i gjyshërve
dhe prindërve të patrajtuar nga traumat e tyre të luftës, sot janë vjerra dhe vjerri, nëna dhe
babai i viktimës dhe dhunuesit. Kosto e fshehur e traumave të mbivendosura dhe të
patrajtuara janë viktimat dhe dhunuesit që dëgjojmë në kronikat e lajmeve. Fëmija i errësirës
i patrajtuar ngre kokën për tu dëgjuar në familje, në shoqëri edhe nëpërmjet formës së dhunës
fizike ai vulos të ardhmen që nuk do doje për veten në kushtet e fëmijës së dritës brenda teje.
A është e mundur të mos e zgjojmë këtë ‘fëmijën e errët’ brenda nesh dhe të përpiqemi për
një dialog familjarë?!
Përgjigja që shumë prej jush e ka paramenduar përpara sesa të lexoni fjalinë time deri në fund
është e menjëhershem:- Po! Trajtimi psikologjik!!!
Bëj thirrje të gjithë institucioneve qeveritare dhe shoqërisë civile ta shohin si prioritare në
objektivat e tyre tematikën e mirëqënies së shëndetit mendorë social. Më shumë se kurrë ka
lindur nevoja që ti jepet përparësi edukimit të shëndetit mendorë, trajtimeve psikologjike për
shkak se më shumë se kushdo vend tjetër, Kosova ka qënë vatra e një trauma të madhe
sociale të luftës, efektet e së cilës i ndjen gjenerata e sotme. Në kohë lufte mbijetohet, por
është koha e paqes ajo që i nxjerr në shesh të gjithë të fshehtat që u ndrydhën dhe që vlojnë
brenda vetes. Në fakt, nëse do ta shihnim nga kjo prespektivë, ky është një tregues që Kosova
si një shtet i ri është në vitet e saj të paqes politike dhe historike dhe kjo kohë vetëm sa ka
filluar të zgjojë tranzicionin individual dhe moral të popullatës e cila tashmë raporton çdo
javë nga një grua të vrarë. Nëse do të ndiqnim këtë logjikë, e njëjta shoqëri mban edhe
dhunuesin edhe viktimën, përse nuk raportohet asnjë burrë i vravë nga gratë? A mos është ky
tregues që e njëjta shoqëri ka prodhuar modele gjinore ektremisht jashtë standarteve të të
drejtave njerëzore?! Burri në rolin e kontrolluesit dhe të atij që i dëgjohet fjala në mënyrë të
pa kontestueshme dhe që merr vendimet se si dhe se kur dhe se sa do jetoj gruaja. Ndërsa
gruas nga ana tjetër i mvishet roli i bashkëshortes-shërbyese deri në vetflijim dhe në
nënshtrim të pa kontestueshëm për ‘gjykatësin e saj suprem familjarë’ si dhe sa do jetoj, si
dhe sa do fitoj, si dhe sa do shpenzojë, si dhe sa do dashurojë, si dhe sa do komunikojë dhe si
dhe sa fëmijë do të lindë?!
Në fakt jo të gjithë e gjenë vete në këto realitete pasi që shoqëria kosovare shfaq edhe
tendenca të një bipolariteti moral, nga njëra anë tendeca tradicionale e gruas ‘skllave’që
servir çajin, që kryen detyrat familjare e që nuk guxon t’a kundërshtojë burrin dhe familjarët
e tij dhe nga ana tjetër shikojmë një shoqëri modern artisike kosovare e cila prodhon artistë të
niveleve ndërkombëtare, moderne, të figurës së pavarur së gruas, e cila çdo pëllëmb të trupit
të saj e ka të pikturuar sipas lirisë së imagjinatës së saj dhe që në mënyrë sensuale ose jo,
provokojnë dhe me artin e tyre të guximit dhe talentit na pasqyrojnë atë imazh të Kosovës së
përparuar dhe demokratike, që kur dashuria mbaron, ekziston divorci, kur ka paaftësi
komunikuese kërkohet ndihmë dhe kur ka vrasje të gjithë bashkë bshkohemi për kauzën e
madhe në mbrojtje të jesës në trevat shqiptare.
Ndër vite të ekperiencës sime profesionale kam reaguar sa herë ndodhte një krim në familjet
shqiptare, këto ngjarjet e vrasjeve në Kosovë më rikthyen aktualitetin e Shqipërisë përpara
një dekade ku çdo ditë raportoheshin viktima të dhunës në familje. Shpresoj që këtë trazicion
socio-individual Kosova ta kapërcej më shpejt dhe në mënyrë profesionale duke mos bërë
gabimet institucionale të simotrës së saj por duke i dhënë zë dhe fuqi gruas, promotorrit të
vlerave të shoqërisë që sa më shumë tentojmë t’ja mbyllim gojën aq më shumë do t’ja vrasim
të ardhmen filizve të rinisë./dritare.net