
Nga Seamira Pino
Dje, plot pas 5 javësh karantinë, kërkoja pranë "Librit Universitar", ndonjë botim për rolin e familjes gjatë pandemisë. Më tërhoqi “Ditari i përballjes me koronavirusin”, shkruar nga Fatmir Toçi. Nuk u zhgënjeva, përkundrazi. Edhe atë që doja për interesin tim studimor, e gjeta! Një familjar shembullor, që ka fatin të jetojë mes dashurisë së madhe të bashkëshortes, katër vajzave dhe djalit, mbesave dhe nipit, si edhe të familjeve prindërore të të dy palëve. Një dashuri familjare e tërëanshme, që po aq sa edhe kujdesi i duhur mjekësor, është vendimtare për shëndetin dhe ringritjen! E lexova këtë libër për pak orë, shpesh duke u përlotur, dhe duke mbajtur frymën deri në faqen e fundit, ndonëse e dija “fundin e lumtur”, betejën e fituar! Temë e njohur, tashmë “e lexuar” nga afër edhe për mjaft nga ne, por që variacionet mbi këtë temë, janë herë të gëzueshme, herë shumë trishtuese. Kurrë më parë, brenda një viti, nuk kemi shkruar dhe përcjellë kaq shumë “ngushëllime”! Edhe këtu në Facebook! Sa miq, sa të njohur dhe të panjohur e kanë humbur luftën... Por shumë më tepër e kanë fituar! Botuesi i mirënjohur, Fatmir Toçi është njëri ndër ta. Falë librit shkruar prej tij, njoha më nga afër një intelektual të mirëfilltë, me shumë interesa e mbi të gjitha modest. Dhe veç kontributeve të tjera të çmuara për shoqërinë - si studiues për vite me radhë i historisë dhe kulturës arbëreshe, si pjesë e politikave udhëheqëse të botimit a medies audio-vizuale, si bashkëdrejtues (me Irenën, bashkëshorten e dashur, të palodhur e po aq të përkushtuar për librin e mirë) për botime librash me vlera, festivale dhe panaire librash, ku kushdo nga ne që e do librin, nuk mund të mos ndalet e të marrë të paktën një libër te stenda "TOENA" - vjen te ne, edhe me këtë, rrëfim-ditar, me shqetësimin qytetar për t’i shërbyer të vërtetës, parandalimit sa është e mundur më shumë, të përhapjes së virusit, sepse nëse kemi humbur në më pak se një vit më shumë se 1400 njerëz të dashur, kemi gati edhe një(?) vit tjetër përpara... që të paktën nga pakujdesia, rastësia, nënvlerësimi, padituria dhe mosbesimi nuk duhet të na sjellë shifra edhe më të larta! Ditari është si një lloj “guide” nga faqja e parë, në të fundit, se çfarë duhet bërë, edhe kur rastësisht e jo për gabimin tënd apo edhe për pakujdesinë tënde, virusi “vjen” e të gjen! Leximi i shpejtë, gati një libër në ditë, zakon i mbetur që nga fëmijëria, kur edhe i mbaja mend për kohë të gjatë personazhet, ngjarjet, autorin po e po, sot pas më se 60 vjetësh nga libri i parë, ky nxitim më bën, që pak kohë pas leximit, titulli, shumica e personazheve edhe më shumë, gati të më fshihen. Pak shqetësohem. Në rastin e ditarit, jam e bindur, që kurrë nuk do t’i harroj, jo vetëm mjekët e njohur për mua si prof. Kapisyzi dhe Alma Camin, por edhe Valentinën, Arianin, Pëllumbin e radiologjisë, Silvanën etj.
Po hap një parantezë për dr. Alma Camin. Disa vite më parë, në universitetin ku jepja mësim, një nga punonjësit e shërbimit papritmas u sëmur rëndë, me një diagnozë vështirë të përcaktueshme. U informuam se ishte shtruar në spitalin “Shefqet Ndroqi”. Së bashku me Adrianën, që administronte më së miri institucionin, të shqetësuara kërkuam dhe u takuam me dr. Almën. Nuk e njihnim. Vetëm emrin, si vajza e Tefta Camit, siç ndodh rëndom në shoqërinë tonë. Nuk e kam harruar kurrë, jo vetëm pritjen e mirësjellë, por sidomos atë që shkruhet në “ditar”, përkushtimin e jashtëzakonshëm, të palodhur dhe me dashuri për profesionin dhe pacientët pa dallim, të doktoreshë Almës. Punonjësi ynë u shërua dhe gëzon shëndet edhe falë kujdesit të posaçëm të Almës. Kur vetë u preka nga virusi, mendoja e qetë, se edhe nëse do të përkeqësohesha dhe “grafiku” i dr. Skënderit, një tjetër emër i mirë dhe profesionist që sjell besim, do të më çonte te “Shefqet Ndroqi”, aty do të kisha dr. Almën! Pak rëndësi nëse do të më mbante mend apo jo, njësoj do të kujdesej e do të më shëronte!
Autori si një vëzhgues i vëmendshëm madje edhe në kushte ekstreme, shpesh në kufi të mbijetesës, i përshkruan, këta personazhe reale, që i kemi mes nesh, me shumë dashuri e mirënjohje. Na tregon deri në detaje punën e secilit dhe ajo çfarë është më me vlerë për ne të tjerët, tregon përkushtimin e tyre për çdo pacient...Nuk ka drojë të japë në hollësi, por me mjeshtëri artistike, situatën krejt njerëzore bio-fiziologjike, duke e sjellë në mënyrë aspak të papëlqyeshme për lexuesin, dhe që na bind edhe më shumë, për çdo rresht që ka shkruar. A mund të harrohet Bukri apo Luli me Lumen? Po Tasua zhurmëmadh e po aq punëtor, që kishte “plot libra në shtëpi”? Të mrekullueshëm!
Libri është jo vetëm një himn për jetën, por do të mbetet edhe si një dëshmi konkrete, historike, e vërtetë, e betejës së përditshme plot një vjeçare deri më sot, të stafit -pa mëdyshje- HEROIK, të një prej spitaleve të Tiranës të 2020! Parathënia, shkruar nga ndër më të mëdhenjtë e kohërave tona, Akademiku Rexhep Qosja, e “noterizon” çdo pohim. Mes faqeve ndihet edhe tisi i politikanit elegant, me dinjitet dhe të panjollë, mik edhe sot i banorëve të zonës (dikur) të tij, njeriu me respekt të ndërsjellë për kolegë të politikës, pavarësisht spektrit apo moshës, e mbi të gjitha me shqetësimin që e shoqëron pareshtur për mbarëvajtjen e gjërave, për t’u dalë ndesh keqkuptimeve apo lajmeve të pavërteta...Një “virus” kaq helmues edhe ky, për shoqërinë shqiptare, ndonëse jo vetëm për të, që njësoj si Covid -19, të ndal këmbët, të bllokon frymëmarrjen, të lidh duart e të dëmton mendjen.
“Pse jemi kaq të pakujdesshëm dhe neglizhentë kur jemi në normalitet, në jetën e përditshme?! Na duket sikur do të jetojmë 1000 vjet dhe vdekja nuk ka të bëjë me ne, por vetëm me të tjerët; ndërkohë ajo është aty, pas derës në çdo çast, duke pritur me durim e pa ngut që ta zgjasë dorën e të të marrë kur të dojë!”- shkruan në një çast ankthi dhe dëshpërimi Fatmiri. Libri në fakt dëshmon optimizëm! Vdekjes së parakohshme mund t’i shpëtohet...dhe mundemi!
Faleminderit z. Toçi!/dritare.net