“TEA Awards 2026” nderon 35 promotorët e turizmit shqiptar, në një mbrëmje prestigjioze në Tiranë
Dritare.net
Edicioni i parë i ceremonisë gala “TEA Awards 2026”, i mbajtur mbrëmjen e së martës, shënoi jo vetëm një mbrëmje ndarjeje çmimesh, por edhe një festë të vërtetë të transformimit të Shqipërisë në një destinacion modern turistik, ku kultura, teknologjia dhe mikpritja shqiptare bashkohen në një platformë unike si TEA.
Me praninë e Ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, z. Blendi Gonxja, Drejtoreshës së Përgjithshme të Agjencisë Kombëtare të Turizmit, znj. Zana Çela, si edhe nën moderimin e gazetarit Drini Zeqo, ceremonia mblodhi personalitete të njohura nga fusha e turizmit, medias, kulturës, diplomacisë dhe biznesit, duke akorduar plot 35 çmime për promotorët më të spikatur të turizmit shqiptar. Mes tyre ishte edhe gazetarja Rudina Xhunga, e cila dha çmimin "Atraksioni kulturor më i kërkuar i TEA-s”, për Beratin. Gazetarja ia dorëzoi çmimin, kryetarit të Bashkisë së Beratit, duke i premtuar se do ta promovonte më shumë qytetin në DritareTV.
Gjatë kësaj mbrëmjeje prestigjioze u prezantuan gjithashtu edhe risitë më të fundit të aplikacionit TEA, duke dëshmuar se Shqipëria po ndërton një qasje moderne dhe inovative për promovimin e turizmit. Përmes teknologjisë, traditës dhe energjisë krijuese shqiptare, TEA po e kthen historinë dhe shpirtin e vendit në një eksperiencë që komunikon denjësisht me botën./K.C/dritare.net