Ndahet nga jeta sizmologu i njohur Shyqyri Aliaj
Dritare.net

Është ndarë nga jeta në moshën 90-vjeçare ikona e sizmologjisë shqiptare, Prof. Dr. Shyqyri Aliaj, një prej emrave më të shquar të shkencave të Tokës në Shqipëri.
Gjatë karrierës së tij shumëvjeçare, profesor Aliaj dha një kontribut të jashtëzakonshëm në studimet sizmologjike dhe gjeologjike, duke qenë autor dhe bashkautor i dhjetëra monografive shkencore, teksteve mësimore dhe librave profesionalë. Ai la pas një trashëgimi të pasur akademike me 105 artikuj shkencorë dhe 84 punime të referuara në simpoziume, konferenca dhe takime shkencore brenda dhe jashtë vendit.
Veprimtaria e tij shkencore u vlerësua gjerësisht edhe në arenën ndërkombëtare, ndërsa portali i studimeve të tij në ResearchGate renditet ndër më të vizituarit nga studiues të shkencave të Tokës nga pothuajse të gjitha kontinentet.
Profesor Aliaj do të kujtohet edhe për qëndrimin e tij qetësues dhe profesional pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit 2019 dhe më pas pasi shpeshherë i përgjigjej interesit të mediave, për përfshirë DritareTV, për të folur për tërmetet që godisnin vendin, duke u dhënë qytetarëve qetësi në një nga momentet më të vështira.
Ndarja nga jeta e Prof. Dr. Shyqyri Aliaj përbën një humbje të madhe për komunitetin shkencor shqiptar dhe për gjithë vendin.
DritareTV i shpreh ngushëllimet familjes së profesorit Shyqyri Aliaj!/K.C/dritare.net