
Infarkti i zemrës (ataku kardiak) dhe arresti kardiak i papritur shpesh ngatërrohen, por në të vërtetë janë dy gjendje krejt të ndryshme mjekësore që kërkojnë reagim të menjëhershëm.
Çfarë është infarkti i zemrës?
Infarkti ndodh kur një arterie që furnizon zemrën me gjak bllokohet. Pa furnizim me gjak, pjesa e muskulit të zemrës që ushqehet nga ajo arterie fillon të dëmtohet. Sa më gjatë të zgjasë bllokimi, aq më i madh është dëmtimi.
Simptomat mund të jenë të menjëhershme e të forta, por gjithashtu mund të shfaqen ngadalë me shenja të lehta – madje edhe pa simptoma. Tek gratë, simptomat shpesh janë të ndryshme nga tek burrat. Zemra nuk ndalon së rrahuri gjatë një infarkti, por kërkon ndërhyrje urgjente.
Çfarë është arresti kardiak i papritur?
Arresti kardiak ndodh kur sistemi elektrik i zemrës dështon dhe shkakton ritëm të çrregullt (aritmi). Zemra pushon papritur së rrahuri, gjaku nuk qarkullon më në tru, mushkëri dhe organe të tjera. Personi humb ndjenjat dhe pulsin, dhe mund të humbasë jetën brenda pak minutash nëse nuk ndërhyhet menjëherë.
Lidhja mes tyre
Një atak në zemër mund të shkaktojë arrest kardiak, ose ta rrisë rrezikun e tij gjatë periudhës së rikuperimit. Megjithatë, jo çdo infarkt përfundon në arrest kardiak. Edhe sëmundje të tjera si kardiomiopatia, insuficienca kardiake, aritmitë e rënda apo defektet kongjenitale mund të çojnë në këtë gjendje.
Çfarë duhet bërë?
Në rast infarkti: Thirrni menjëherë numrin e urgjencës 127. Çdo minutë është jetike. Shërbimi i urgjencës mund të nisë trajtimin që në vendngjarje, duke shpëtuar jetë.
Në rast arresti kardiak: Kontrolloni nëse personi reagon. Thërrisni ndihmën urgjente. Filloni menjëherë masazh kardiak (CPR) dhe përdorni një defibrilator automatik (AED) nëse është i disponueshëm.
Tek fëmijët, shpesh shkaku është mbytja apo arresti respirator, ndaj duhet kontrolluar fillimisht rrugët e frymëmarrjes.

















