Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Brenda tuneleve sekrete të Porto Palermos!

Brenda tuneleve sekrete të Porto Palermos!

Pas 40 vitesh, inxhinierë, ish-oficerë dhe ish-palombarë u rikthyen në veprën e tyre më të madhe, Tunelin e Porto Palermos, të cilin e cilësojnë si fortifikimin më të fuqishëm hidroteknik në të gjithë pellgun e Mesdheut.

Brenda tuneleve sekrete të Porto Palermos!

Në një intervistë ekskluzive për gazetaren Rudina Xhunga, Xhorxhi Koçi, Qemal Zyfi, Bashkim Salillari, Lefter Alushi, Vilson Kulla, Ilirjan Tahmazi, Aleksandër Mihali dhe Gëzim Bakiu rrëfyen historinë e ndërtimit të 20 tuneleve të Porto Palermos, të ngritura për të strehuar nëndetëset dhe armatimet shqiptare.

Tunel antibërthamor, i ndërtuar për të përballuar një bombë të fuqisë së Hiroshimës
Sipas inxhinierëve, ky tunel ishte projektuar për të përballuar shpërthime bërthamore deri në 10 kiloton, fuqia e së cilës i afrohej bombës së hedhur mbi Hiroshimë.


“Portat hermetike, sistemet valëthyese dhe filtroventiluese e bënin këtë kompleks të paprekshëm. Tuneli ishte aq i sigurt, saqë për ta dëmtuar duhet të shembej gjithë mali”, – treguan ata.

Një kompleks unik ushtarak

Në total, janë ndërtuar 20 tunele, 8 në zonën e Porto Palermos dhe të tjerë të shpërndarë në Gjirin e Vlorës, Himarë, Llaman dhe Peshkëpi.
Tuneli kryesor strehonte nëndetëset, ndërsa tunelet e tjera shërbenin për karburant, municione, depo minash dhe ofiçina. Në kodër ndodhej bateria kundërajrore, ndërsa pranë Kalasë së Ali Pashës ishin vendstrehimet e municioneve.

Funksionet e tuneleve
Kompleksi i Porto Palermos ishte i menduar si një bazë e plotë ushtarake. Ai përfshinte:

Bateri kundërajrore në kodër.
Vendstrehim municionesh pranë Kalasë së Ali Pashës.
Tunele për karburant dhe depo minash përgjatë rrugës.
Tunele për grasot dhe vajra.
Dy tunele me nga dy rezervuarë 400 m³ secili.
Ofiçina për riparime dhe karikimin e baterive të silurueseve.
Gjithashtu, çdo tunel ishte i pajisur me:

Sisteme valëthyese për mbrojtje nga shpërthimet.
Sisteme filtroventiluese për ajrosje të pastër.
Porta hermetike, që nuk lejonin hyrjen e ajrit të ndotur apo kimikateve.
Ndriçim të brendshëm të ngjashëm me atë jashtë tunelit.


“Infrastruktura e Porto Palermos ishte aq e plotë, saqë nëndetëset mund të furnizoheshin, të riparoheshin dhe të përballonin çdo rrezik brenda këtij kompleksi antibërthamor”, shpjegojnë inxhinierët.


Inxhinierët kujtojnë me dhimbje vitin 1997, kur tuneli u grabit dhe u shkatërruan të gjitha pajisjet metalike, kabujt elektrikë dhe tubacionet e karburantit. Megjithatë, struktura gjigante nuk u amortizua.
“Fatmirësisht, gjithçka është si ditën që e lamë 40 vjet më parë. Porta, muret, tunelet – çdo gjë ka mbetur e pathyeshme”, – thanë ata./E.P-dritare.net