SHBA propozon Donbasin në këmbim të NATO-s, Zelensky zbulon prapaskenat e negociatave
Dritare.net

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar se negociatorët amerikanë kanë hedhur për herë të parë në tryezën e bisedimeve një propozim që Ukraina të tërhiqet nga territoret që ende kontrollon në rajonin e Donbasit, në këmbim të anëtarësimit në NATO.
Deklarata vjen pas takimeve të zhvilluara mes përfaqësuesve amerikanë, presidentit rus Vladimir Putin dhe kreut të shtetit ukrainas, në kuadër të përpjekjeve të Uashingtonit për t'i dhënë fund luftës mes dy vendeve.
Sipas Zelenskyt, pala amerikane ngriti pyetjen nëse Ukraina do të pranonte të largohej nga Donbasi në rast se do të sigurohej anëtarësimi i saj në NATO. Ai theksoi se kjo ishte hera e parë që një alternativë e tillë ishte diskutuar drejtpërdrejt.
Kreu i Kievit bëri të ditur se çdo marrëveshje e mundshme duhet të përfshijë garanci të forta sigurie, mungesë kufizimesh për ushtrinë ukrainase dhe fonde për rindërtimin e vendit. Nëse një propozim i tillë do t'i paraqitej zyrtarisht, Zelensky tha se do ta çonte atë në referendum.
Nga ana tjetër, Moska vazhdon të kërkojë lëshime territoriale, kufizime për ushtrinë ukrainase dhe neutralitetin e Kievit, kushte që Ukraina i ka kundërshtuar vazhdimisht.
Rusia aktualisht kontrollon rreth një të pestën e territorit ukrainas, përfshirë pjesën më të madhe të rajoneve Donetsk dhe Luhansk, të cilat përbëjnë Donbasin.
Dorëzimi i territoreve që Ukraina ende mban nën kontroll do të kishte një rëndësi të madhe politike dhe simbolike për Kievin, i cili prej kohësh këmbëngul se nuk do të heqë dorë nga sovraniteti territorial.
Ndërkohë, bisedimet mes palëve mbeten të vështira, pasi Moska nuk ka dhënë sinjale për ndryshim të qëndrimit të saj lidhur me kushtet për përfundimin e luftës.
Zelensky e konsideroi propozimin amerikan si një shenjë se anëtarësimi i Ukrainës në NATO mund të jetë rikthyer në tryezën e negociatave, por paralajmëroi se diskutimet mbeten jashtëzakonisht të ndërlikuara./L.F-dritare.net