Na ndiqni edhe në

Shkruaj në Dritare

Sa vende pune do të hapen në Shqipëri?

Sa vende pune do të hapen në Shqipëri?

Nga Gëzim Hoxha

Është kohë fushate, është kohë premtimesh, është koha kur një grusht njerëzish fillojnë të gënjejnë dhe shumë e shumë të tjerë fillojnë të gënjehen. Kështu ka qenë gjithmonë, kështu do të jetë edhe këtë radhë. E vërteta fshihet përtej shifrave, struket dhe tulatet thellë në ndërgjegjen e vetë politikanëve.

Një prej premtimeve më joshës ishte hapja e 220.000 vendeve të reja pune. Një tjetër premtim, po kaq i bujshëm, pothuajse i ngjashëm me të parin ishte punësimi i 100.000 të rinjve gjatë 4 viteve të ardhme. Nëse kostoja e një vendi të ri pune është diku mes 13.000 e 14.000 eurove atëherë kostoja e hapjes së 220.000 vendeve të reja pune do t’i kushtonte ekonomisë shqiptare më tepër se 2.86 miliard euro. Forca tjetër politike që premton punësimin e 100.000 të rinjve do t’i duhet të vrasë mendjen se si do t’i gjejë 1.3 miliardë euro.

Thuhet se shteti nuk mund të jetë hambar punësimi dhe është më se e drejtë. Shpresat, këta politikanë i kanë tek biznesi i cili mund dhe supozohet të hapë vende të reja pune. Por, nuk është se tregtia dhe biznesi po lulëzon këtu në Shqipëri. Në fakt gjithandej është kohë e vështirë për të bërë biznes. Edhe kapitali i huaj nuk është se po jep shenja të mira në lidhje me investimet në Shqipëri. Kriza e fundit e lëkundi përnjëherësh imazhin pozitiv të krijuar nëpër botë nga reformat e guximshme nën moton e “BËRJES SË SHTETIT”.

Edhe miliardat e dhëna për Rilindjen Urbane si duket nuk dhanë ndonjë rezultat në punësimin e njerëzve. Për hir të së vërtetës këto para e shndërruan vendin në një kantier gjigand ndërtimi. Kudo kemi parë e po shohim të ndërtohen ura, shtrohen rrugë, sistemohen trotuare, restaurohen fasada pallatesh. Asnjë nuk mund të thotë se nuk është bërë punë. Po, është bërë dhe më tepër se ç’duhej. Nevoja për të kapur kohën e humbur të këtyre 26 vjetëve ishte alarmuese. Dhe kjo është e arsyeshme se zgjedhjet do të vinin më shpejt se sa mund imagjinohej dhe populli ish tejet i lodhur me mungesën e këtyre kushteve që ia bëjnë jetën më të lehtë të gjithëve.

U punësuan me vërtetë me qindra vetë në të katër anët e vendit. Kjo është mëse e vërtetë, ashtu siç është mëse e vërtetë se me mbarimin e këtyre punëve, të punësuarit u kthyen në statusin e mëparshëm të të papunit. Ja pse mund të themi se fatura disa miliarda lekëshe e Rilindjes Urbane arriti dy gjëra. E para arriti në mënyrë të padiskutueshme cilësinë e jetës (pasi të gjithë duam rrugë e trotuare të rregulluar) dhe e dyta i bëri të pasurit edhe më të pasur. Lidhur me punësimin ky projekt nuk arriti të hapë asnjë, e përsëris asnjë vend të qëndrueshëm pune.

Me këto kushte ku është ekonomia jonë në një mandat qeverisës në Shqipëri mund të hapen shumë-shumë nga 20.000 deri në 50.000 vende të qëndrueshme pune me një perspektivë të qartë afatmesme (5 vjeçare) pasi ekonomia e tregut nuk pretendon siguri 100% për një vend pune. Kaq mund të bëjë një politikë e qartë qeverisëse e interesuar me të vërtetë për punësimin e njerëzve. Mund të hapen edhe një herë kaq sikur këtu te ne të vërshojnë investimet e huaja. Po kjo ngelet për tu parë dhe nuk është në dorën e asnjë qeverie.

Po për tu kthyer përsëri te punësimi shtroj pyetjen: “A mund ta përballojë ekonomia jonë një kosto disa miliarda euroshe?” Ja pse mund të themi se premtimi për hapjen e vendeve të reja të punës është abuzimi më i madh me elektoratin. Në një raport të Bankës Botërore të para disa kohëve shprehej qartë ky abuzim. Aty thuhej se në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor për 4 vitet e fundit janë hapur gjithsej 300.000 vende të reja pune. Kjo është edhe shifra e premtuar para 4 vjetëve.

Ku ndryshon një qeverisje e suksesshme nga një qeverisje e dështuar? Punët publike nuk janë një tregues për sukses, apo dështim, as rritja ekonomike, as niveli i mbledhjes së taksave, as raporti i borxhit publik ndaj PBB, as niveli i inflacionit, asnjë prej këtyre treguesve që kanë lidhje me stabilitetin makroekonomik të një vendi. Të gjitha këto shifra nuk të thonë asgjë në lidhje me suksesin, apo dështimin e një qeverisjeje. Në fakt çdo qeveri sado e keqe qoftë do të bëjë diçka sado të vogël për të justifikuar pushtet – mbajtjen. Suksesi, apo dështimi i saj varet para së gjithash nga përballja e saj me papunësinë. Nëse çdo ditë shikojmë e dëgjojmë histori mjeranësh që enden zyrave dhe mbushin sheshet për një punë që nuk mund ta gjejnë, ju e kuptoni vetë se çfarë dua të them./dritare.net