Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Rama: Ndërhyrjet e deputetëve për punësime të konsiderohen vepër penale

Kryeministri Edi Rama ka propozuar që ndërhyrjet e deputetëve për punësime në administratën publike të konsiderohen vepër penale. Deklarata u bë gjatë mbledhjes me ministrat dhe grupin parlamentar të Partisë Socialiste, ku Rama kërkoi që punësimet dhe ngritjet në detyrë të bazohen te merita dhe jo te lidhjet politike apo personale.

Rama tha se do t’u kërkojë deputetëve ta votojnë një ndryshim të tillë, duke e lidhur atë me nevojën për të shmangur ndërhyrjet për punësimin e personave të caktuar.

“Unë do të propozoj që çdo ndërhyrje e një deputeti për të futur dikë në punë të quhet vepër penale. Do t’ju shoh të gjithëve në sy dhe do t’ju kërkoj ta votoni.”

Kryeministri përmendi edhe rastet kur deputetët mund t’u dërgojnë mesazhe drejtuesve të institucioneve për të favorizuar persona të caktuar.

“Çdo mesazh i çuar: ‘Fute këtë’, ‘shife atë’, të konsiderohet vepër penale.”

Sipas Ramës, një deputet që ndërhyn për punësime nuk përfaqëson qytetarët që nuk kanë akses te strukturat politike apo institucionale.

“Një deputet që bën këtë nuk është i denjë për të përfaqësuar ata të tjerët që nuk kanë akses, që nuk janë pjesë e rrethit të tarafit të tij apo shokë të fëmijëve.”
Rama theksoi gjithashtu se karriera në administratën publike duhet të ndërtohet mbi meritën dhe përvojën profesionale, duke bërë që pozicioni i punës të mos përcaktojë vlerën profesionale të individit.

“Shkalla e meritës duhet të krijojë një arkitekturë të qartë. Grada të bëhet pasuri profesionale e njeriut, jo pronë e postit që mban sot apo e qeverisë që vjen nesër.”

Në vijim, kryeministri iu referua edhe rezultateve të një anketimi në administratën publike, duke thënë se një prej të dhënave të tij duhet të merret në konsideratë nga deputetët dhe drejtuesit e qeverisë./L.F-dritare.net