Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Rama: Kush ka një plan biznesi, mund të përfitojë deri në 2 milionë euro

Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim më aktorë të sipërmarrjes dhe sistemit bankar në vend për promovuar dhe diskutuar ecurinë e programit të iniciuar nga Qeveria, “Dyfisho Sipërmarrjen tënde".

Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria ndodhet në një fazë të re zhvillimi ekonomik dhe se qeveria do të rrisë mbështetjen për bizneset, veçanërisht për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Rama tha se shumë sipërmarrje shqiptare kanë ide dhe potencial për t’u zgjeruar, por përballen me vështirësi në sigurimin e financimit.

Ai solli si shembull një kompani të krijuar nga të rinj nën moshën 30 vjeç në sektorin e blegtorisë, si dhe një tjetër kompani në Fier që merret me produkte kozmetike, duke theksuar se nevoja kryesore e tyre është kapitali për rritje.

“Ka ndërmarrje edhe në fushën e teknologjisë, që kanë nevojë për financim për t’u rritur, për t’u dyfishuar apo shumëfishuar. Programi ka një tavan prej 2 milionë eurosh dhe do të ketë mbështetjen tonë në mënyrë sistematike”, u shpreh Rama.

Kryeministri bëri të ditur gjithashtu se do të ngrihet një Task Forcë për të monitoruar programet e financimit dhe për të identifikuar nevojat e bizneseve.

Sipas tij, qeveria synon të krijojë më shumë mundësi financimi për sipërmarrësit dhe deklaroi se mbështetja mund të arrijë deri në 1 miliard euro për bizneset e vogla dhe të mesme.

“Askush të mos thotë se nuk kam mbështetje financiare për të bërë plan. Por duhet të ketë plan. Kushdo që ka një ide biznesi, të aplikojë dhe mund të marrë deri në 2 milionë euro kredi me interes vetëm 2-3 për qind”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se ky mekanizëm synon të nxisë rritjen e kompanive shqiptare dhe të krijojë mundësi të reja për investime dhe zgjerim të aktivitetit ekonomik.