Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Kos zbulon planin e ri për zgjerimin e BE-së: Integrim gradual dhe më shumë garanci! Shqipëria në fokus


Komisionerja evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, ka prezantuar një qasje të re për procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian, duke propozuar reforma të brendshme të Unionit, forcim të standardeve demokratike dhe një metodë të re të integrimit gradual të vendeve kandidate.

Duke folur të martën në Konferencën e Ambasadorëve Kroatë në Zagreb, Kos tha se bota ka ndryshuar dhe se edhe procesi i zgjerimit të BE-së duhet të përshtatet me realitetin e ri.

“Bota ka ndryshuar. Dhe zgjerimi duhet të ndryshojë bashkë me të”, deklaroi ajo.

Sipas Kos, Komisioni Evropian po përgatit një rishikim të politikës së para-anëtarësimit, i cili do të shqyrtojë mënyrën se si Bashkimi Europian mund të funksionojë me më shumë se 30 shtete anëtare.

Ajo e cilësoi momentin aktual si një “moment Helsinki”, duke iu referuar takimit të liderëve europianë në Finlandë që i parapriu zgjerimit të madh të BE-së pas Luftës së Ftohtë, kur në Union u anëtarësuan 10 vende të reja.

Komisionerja përmendi në veçanti përparimin e shpejtë të Malit të Zi, i cili mbetet vendi më pranë anëtarësimit, përparimin e Shqipërisë në përmbushjen e standardeve të sundimit të ligjit, avancimin teknik të Ukrainës dhe Moldavisë, si dhe vendimin e Islandës për të rifilluar procesin e anëtarësimit.

Kos tha se Komisioni Evropian do të paraqesë idetë e tij për mënyrën se si BE-ja duhet të përgatitet për momentin kur vendet kandidate t’i afrohen përfundimit të negociatave.

Sipas saj, duhen trajtuar katër çështje kryesore.

Reforma të brendshme në BE
Një Bashkim Evropian më i madh, sipas Kos, do të ketë nevojë për reforma të rëndësishme në mënyrë që të ruajë aftësinë për të marrë vendime dhe për t’u përgjigjur shpejt ndaj krizave.

Komisionerja argumentoi se disa ndryshime në procesin e vendimmarrjes dhe në institucionet europiane mund të bëhen pa ndryshuar traktatet e BE-së, një proces që do të kërkonte negociata të gjata dhe ratifikime nga shtetet anëtare.

Kos propozoi një vendimmarrje më të thjeshtë dhe më fleksibël, përfshirë reduktimin e rasteve kur një shtet i vetëm mund të bllokojë një vendim të të gjithë Unionit.

Ajo përmendi gjithashtu mundësinë e përdorimit më të madh të “bashkëpunimit të zgjeruar”, një mekanizëm që u lejon disa vendeve anëtare të ecin përpara me iniciativa të caktuara, edhe kur shtetet e tjera nuk janë ende gati.

Garanci më të forta demokratike
Një tjetër pikë e rëndësishme është forcimi i mekanizmave që do të parandalonin vendet e reja anëtare të largohen nga standardet demokratike dhe sundimi i ligjit pas anëtarësimit. Kos tha se BE-ja duhet të nxjerrë mësime nga përvoja e viteve të fundit dhe të krijojë garanci më të forta për të mbrojtur vlerat themelore të Unionit.

“Duhet të sigurohemi që të mos lejojmë kuaj Troje. Jo sot, jo pas 10 apo 20 vitesh”, deklaroi ajo.

Megjithatë, kjo ide mbetet e debatueshme, pasi mund të krijojë një trajtim të ndryshëm të shteteve anëtare dhe të çojë në krijimin e një lloj “anëtarësimi të dorës së dytë”.

Ambasadori i Malit të Zi në BE, Petar Marković, ka deklaruar se Podgorica do ta mbështeste një mekanizëm të tillë, nëse ai do të bazohej në kritere objektive dhe do të vlerësohej rast pas rasti.

Integrim gradual, jo më “gjithçka ose asgjë”
Një nga ndryshimet më të rëndësishme të propozuara lidhet me mënyrën e integrimit të vendeve kandidate. Disa vende të BE-së, veçanërisht Franca dhe Gjermania, kanë kërkuar prej kohësh një rishikim të metodologjisë së zgjerimit dhe një proces më gradual integrimi.

Kos tha se BE-ja duhet të largohet nga logjika “gjithçka ose asgjë”.

Sipas saj, procesi i anëtarësimit mund të zgjasë dekada, ndërsa gjatë kësaj kohe vendet kandidate mbeten të ekspozuara ndaj presioneve politike dhe ndikimeve të jashtme.

“Duhet të largohemi nga logjika ‘gjithçka ose asgjë’ në zgjerim. Na duhet një qasje më e strukturuar për të kapërcyer kohën që nuk e kemi më”, tha Kos.

Në këtë kuadër, vendet kandidate mund të marrin gradualisht përfitime konkrete të integrimit edhe përpara anëtarësimit të plotë.

Kos përmendi si shembuj përfshirjen në Zonën Unike të Pagesave në Euro, SEPA, dhe lidhjen me rrjetin energjetik të BE-së.

Megjithatë, sipas saj, këto hapa nuk janë ende të mjaftueshëm.

Masa tranzitore për vendet e reja
Së fundmi, Komisioni Evropian kërkon të vlerësojë edhe ndikimin që anëtarët e rinj do të kenë te shtetet ekzistuese dhe te buxheti i BE-së.

Kos tha se Brukseli ka përvojë me masa tranzitore që mund të ndihmojnë në integrimin gradual të vendeve të reja dhe në mbrojtjen e interesave të Unionit.

Një nga çështjet më të ndërlikuara do të jetë mënyra se si vendet e reja do të përfshihen në buxhetin e BE-së.

Shqipëria mes vendeve që përmenden për progres
Në këtë proces të ri, Shqipëria përmendet nga Komisionerja Marta Kos si një nga vendet që ka bërë përparim në përmbushjen e kritereve të sundimit të ligjit.

Deklarata e saj vjen në një moment kur Brukseli po përgatitet të rishikojë mënyrën e zgjerimit të Unionit dhe të diskutojë me liderët europianë se si mund të përshpejtohet procesi.

Propozimet e reja pritet të jenë pjesë e një diskutimi të rëndësishëm mes liderëve të BE-së në muajin tetor.

Qasja e re e Brukselit synon të krijojë një rrugë të ndërmjetme: vendet kandidate të mos presin për vite me radhë për të marrë përfitimet e integrimit, ndërsa BE-ja të ketë më shumë garanci se zgjerimi i ardhshëm nuk do të dëmtojë funksionimin, buxhetin dhe vlerat demokratike të Unionit./K.C/dritare.net