Rama: Kemi qenë kudo në hartën e Shqipërisë, por kemi munguar te halli i njeriut
Dritare.net
Kryeministri Edi Rama ka folur për marrëdhënien e qeverisë me qytetarët dhe për nismën “Pasqyrë Albania”, duke pranuar se prania e institucioneve në terren nuk ka qenë gjithmonë e shoqëruar me një reagim konkret ndaj problematikave të qytetarëve.
Gjatë fjalës së tij, Rama tha se platforma duhet të shërbejë si një mekanizëm që e tregon qeverinë ashtu siç është, përfshirë edhe mangësitë e saj. Sipas tij, nëse qeveria nuk arrin të përmirësojë punën e vet, duhet t’i hapë rrugë një alternative.
“Nëse pasqyra përdoret kundër qeverisë, funksionon. Qeveria nuk duhet të zihet me pasqyrën, por duhet të merret me veten. Nëse nuk është në gjendje të merret me veten, duhet të hapë krahun. Përndryshe nuk është pasqyrë, por billboard reklamash qeveritare.”
Rama u ndal edhe te koncepti i transparencës, duke argumentuar se publikimi i informacionit nuk është i mjaftueshëm nëse nuk shoqërohet me përgjegjësi konkrete.
“Transparenca nuk mjafton, transparenca kërkon përgjegjësinë, dhe pa përgjegjësinë transparenca është kronikë.”
Duke folur për nismën “Prania Besnike”, kryeministri tha se ajo nuk duhet të shihet si një aktivitet elektoral apo thjesht organizativ i Partisë Socialiste, por si një mënyrë për ta kthyer dëgjimin e qytetarëve në detyrim për institucionet.
Rama pranoi se qeveria ka zhvilluar takime në të gjithë vendin, por sipas tij problemi ka qenë mungesa e pranisë pikërisht aty ku qytetarët kanë pasur nevojë për zgjidhje.
“Problemi ynë s’ka qenë që ne nuk kemi ditur të bëjmë takime, madje ne kemi qenë aq shumë herë kudo në hartën e Shqipërisë për takime sa askush tjetër... Ne kemi munguar në pikën e hallit të njeriut, kemi qenë në çdo pikë të hartës. Distanca nga qytetari nuk matet me km që bën për të shkuar atje, por matet me sa të hapur janë veshët e tu kur qytetari flet.”
Në këtë kuadër, Rama e lidhi funksionimin e “Pasqyrë Albania” me rritjen e përgjegjshmërisë së qeverisë dhe me mundësinë që qytetarët të kenë një pasqyrë më të qartë të punës së institucioneve.