Qemal Minxhozi: Nuk ka pasur kurrë drejtësi! Gjykata Speciale u ngrit mbi teorinë serbo-ruse
Dritare.net

Ambasadori Qemal Minxhozi, i ftuar në emisionin “Shqip” nga Dritan Hila në DritareTV, ka reaguar për vendimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Minxhozi tha se ka një “asimetri të tmerrshme” në mënyrën se si janë trajtuar juridikisht krimet e luftës, duke kujtuar vrasjet, masakrat dhe dëbimin e shqiptarëve nga Kosova në vitin 1999. Sipas tij, ngritja e Gjykatës Speciale u parapri edhe nga akuza të rënda ndaj UÇK-së, përfshirë pretendimet për trafik organesh, të cilat, siç tha ai, ndikuan në krijimin e klimës politike ndërkombëtare për ngritjen e saj.
“Ka një asimetri të tmerrshme për sa i përket gjykimit. Po të kthehemi në vitin 1999, 1 milion shqiptarë u hoqën nga trojet e veta, u vranë, u masakruan. Vetëm në periudhën 5-6 ditore pas bombardimit janë vrarë 3-4 mijë vetë. Dhe për këto, që janë fakte të para nga të gjitha televizionet e botës, nga gazetat e botës, nuk ka një rast që të ndiqet për këtë çështje. Janë përdhunuar familje të tëra, motra, gra në grup, në një heshtje, dhe u gjymtuan 10-50-100 mijë shqiptarë. Raste që nuk janë bindëse? Dhe janë shumë të vogla në krahasim me çfarë ka ndodhur më parë.
Përveç asimetrisë juridike, kemi dhe një asimetri të madhe politike. Pati një përgatitje përpara, lajme që duhet të kemi kujdes, mos ketë dhunë, mos ketë demonstrata. Ishte një vendim i parapërgatitur, i mirëinformuar për qarqet kryesore botërore.
Nuk ka pasur kurrë drejtësi që kur u ngrit kjo gjykatë. Nëse në skenën politike ndërkombëtare nuk do ishte shitur teoria serbo-ruse, transplant organesh, vrasje njerëzish, shqyerje organesh etj., që krijuan qarqet, që ky gjenocid duhet të marrë fund, vështirë se do ishte ngritur kjo gjykatë. Vunë njerëz që shqyenin njerëzit dhe kjo bëri që kjo gjykatë të merrte një formë. Ky ishte themeli numër një i ngritjes së Gjykatës Speciale. Në fund të këtij teatri ne shohim se asgjë nuk ka ndodhur dhe nuk ka krime kundër njerëzimit. Ata rrëmojnë të gjejnë diçka”, tha Minxhozi në DritareTV./dritare.net