Na ndiqni edhe në

Politikë

Qeveria miraton bashkëpunimin strategjik me Italinë në 10 fusha!

Qeveria miraton bashkëpunimin strategjik me Italinë në 10 fusha!

Agjencia për Media dhe Informim njofton se Këshilli i Ministrave, në mbledhjen e sotme, 29 tetor, ka miratuar disa vendime dhe projektligje me rëndësi të veçantë për zhvillimin ekonomik, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe forcimin e kuadrit ligjor për partneritetet publike-private. Një ndër vendimet kryesore të marra ditën e sotme është miratimi i marrëveshjes Shqipëri-Itali në 10 fusha.

Shpallja e zonave me përparësi për zhvillimin e ekonomisë

Një ndër vendimet kryesore të miratuara nga qeveria lidhet me shpalljen e disa zonave me përparësi për zhvillimin ekonomik në bashkitë Belsh, Përmet, Skrapar dhe Elbasan. Ky vendim synon të nxisë investimet private dhe publike në këto rajone, duke krijuar mundësi të reja punësimi dhe duke rritur potencialin ekonomik lokal përmes politikave të mbështetjes infrastrukturore dhe fiskale.

Marrëveshje strategjike Shqipëri–Itali

Qeveria miratoi gjithashtu në parim marrëveshjen ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Italisë për bashkëpunim strategjik në disa fusha me rëndësi të madhe kombëtare dhe rajonale.

Fushat e përfshira në këtë marrëveshje janë:

-Kujdesi shëndetësor

-Energjia

-Mjedisi

-Industria e sigurisë dhe mbrojtjes

-Menaxhimi i migracionit

-Arsimi

-Inovacioni

-Diaspora

-Transformimi ekonomik

-Rritja inteligjente

Vendimi synon të formalizojë bashkëpunimin strategjik dhe të thellojë marrëdhëniet dypalëshe midis Shqipërisë dhe Italisë, duke krijuar një kuadër të strukturuar për projekte dhe iniciativa të përbashkëta në fushat e sipërpërmendura.

Projektligji për koncesionet dhe partneritetet publike-private

Në të njëjtën mbledhje, Këshilli i Ministrave miratoi projektligjin “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat (PPP)”, i cili përcakton rregullat dhe standardet për bashkëpunimin ndërmjet shtetit dhe sektorit privat në zbatimin e projekteve me interes publik.

Objekti:

• Kompetencat e autoriteteve publike për të lidhur kontrata PPP;

• Procedurat e dhënies, nënshkrimit, ndryshimit ose ndërprerjes së kontratave;

• Ndarjen e risqeve financiare dhe fiskale ndërmjet palëve;

• Mënyrën e mbështetjes financiare dhe rregullimet që lidhen me politikat e koncesioneve.

Ligji përcakton termat:

• Koncesion – Marrëveshje për ndërtim ose ofrim shërbimesh publike, ku partneri privat shpërblehet me të drejtën e shfrytëzimit të veprës ose me pagesë.

• Partneritet publik privat (PPP): Bashkëpunim i qëndrueshëm ndërmjet shtetit dhe operatorit privat për ofrimin e shërbimeve ose infrastrukturës publike.

• Risk operacional: Rreziku që i transferohet koncesionarit lidhur me kërkesën, ofertën apo disponueshmërinë e objektit.

• SPV (Subjekti për Qëllime të Veçanta): Shoqëri private e krijuar posaçërisht për zbatimin e kontratës së koncesionit/PPP.

Fusha e zbatimit

PPP-të mund të aplikohen në sektorë si transporti, energjia, uji, menaxhimi i mbetjeve, telekomunikacioni, arsimi, kultura, shëndetësia.

Ky nen përcakton bazat mbi të cilat zhvillohet çdo procedurë për dhënien e koncesioneve dhe partneriteteve publike-private (PPP).

1. Parimet e përgjithshme – Procedurat zbatohen duke respektuar transparencën, trajtimin e barabartë, mosdiskriminimin, proporcionalitetin, efikasitetin, reciprocitetin dhe sigurinë ligjore.

2. Paanshmëria e procedurës – Përgatitja e procedurës konkurruese, përfshirë përllogaritjen e vlerës, nuk duhet të ketë qëllim favorizimi apo përjashtimi të padrejtë të operatorëve ekonomikë apo të shërbimeve të caktuara.

3. Autonomia e autoriteteve publike – Autoritetet qendrore dhe vendore kanë të drejtë të vendosin mënyrën më të përshtatshme për të menaxhuar punimet dhe shërbimet publike, duke garantuar cilësi, siguri, përballueshmëri, trajtim të barabartë dhe akses universal. Ato mund të kryejnë detyrat me burimet e veta, në bashkëpunim me të tjera autoritete, ose t’i delegojnë ato operatorëve ekonomikë.

4. Ruajtja e sistemit të pronësisë publike – Ligji nuk kërkon privatizimin e ndërmarrjeve publike dhe nuk ndikon në sistemin e pronësisë në Republikën e Shqipërisë./dritare.net