Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Poezia e djalit që piu 98 qetësues...të skaduar

Poezia e djalit që piu 98 qetësues...të skaduar
Nga Luna Ruvina

Se unë budallallëqet ndonjëherë edhe i shkruaj, më shkruante së fundmi një i afërmi im shumë i dashur si parantezë të një poezie që do të më niste në mesazhin pasardhës.

Kam pasur gjithmonë fatin të jem i pari dhe shpesh i vetmi njeri të cilit i tregon ‘budallallëqet’ e veta, siç i quan ai krijimet që mua më bëjnë të qesh e të qaj me ironinë e tij për botën, për veten, për jetën. Kjo e fundit i ka qëlluar aq e rëndë, sa disa herë ka dashur të heqë dorë.

Hera e fundit ishte kur kishte marrë 98 qetësues, siç më tha mjeku i urgjencës. I mbërrita në spital pasi e kishte kaluar fazën më kritike.

Po pse s’i bëre 100? – i thashë, më shumë nga inati sesa për t’i dhënë frymë humori situatës kur dukej se më e keqja kishte kaluar.

Po kur s’ke fat, s’ke. Edhe kaq sa gjeta paskan qenë të skaduar. Mjekësia falas, -ma ktheu.

Ja ç’më shkroi:

Mërzi

Për herë të fundit vetëm heshtje

e shenjta qetësi

të fluturosh larg veç me mendje

përtej në fantazi

në botë të ëndrrave

ku liria nuk quhet çmenduri

ku ka veç njerëz me kurajë

heronj të etur veç për jetën

ku veç jeta është feja e dashurisë për të vërtetën.

Me shpirt, me zemër të luftosh

me trup e mendje të durosh

cilindo fat, çdo marrëzi

çdo rreng që të kurdis e ardhmja

të qëndrosh fort, të ngulësh këmbë

edhe kur të jesh me shpirt ndër dhëmbë

se koha ecën e gjithçka...

mërzitë, dhimbjet, fatkeqësitë

të gjitha shuhen e kalojnë

dhe vetëm jeta triumfon

deri në fund kur perdja bie

e heshtja përmbyt gjithçka që ish

në qetësi sërish lind jeta

dhe qan sa herë vjen në botë

e tremb të shenjtën qetësi...

sërish e njëjta histori. /Dritare.net