Na ndiqni edhe në

Fjorda di një Vend

Po që e kisha nënvlerësuar Bratislavën!

Po që e kisha nënvlerësuar Bratislavën!

Nga Fjorda Llukmani Nëse ju përmend Bratislavën mbase disa nga ju do e ngatërrojnë nëse është kryeqyteti i Slovakisë apo Sllovenisë. Të njëjtën gjë edhe unë. E të them të drejtën nuk dija asgjë për këtë qytet edhe pse e vizitova para dy vitesh në periudhë Krishtlindjesh. Qëndrova rreth 2,3 orë duke parë shumë pak gjëra dhe e nënvlerësova. Ama s’ma priste mendja që do ishte kaq e bukur pasi i dedikova një ditë të tërë. (Foto e para dy viteve në Dhjetor-Bratislavë, Skllovaki) Ndonjëherë i nënvlerësojmë disa vende sepse s’kemi dëgjuar shumë për to, ose kemi maninë të vizitojmë kryeqytete më të rëndësishme Europiane. Po qe se ju bie rruga në Vjenë, Budapest apo Pragë dhe keni kohë mjaftueshëm, konsiderojeni një trip të shkurtër një ditor në Bratislavë, si përfundim kryeqytetin e Sllovakisë. Ne u nisëm nga Brno me tren që gjendet në Çeki. Sa më kishte marrë malli për të hipur në tren! Mu kujtua linja e dikurshme Tiranë-Vorë-Shkozet-Golem. Kur isha e vogël në fundjavë zgjohesha që në 6 për të shkuar në plazh me trenin e orës 7 pa 5. Megjithatë treni ynë ishte i lirë por goxha modern. Paguam diku tek 8 euro dhe të përfshirë kishim një shishe ujë. Rruga zgjati 1 orë e gjysëm. Bashkëudhëtare kisha Albanën që bën emisionin “Check In” në Tv Klan.

Kësaj here pa kamera që të shijonim tamam pushimet. Të dyja nuk kishim pritshmëri të larta për Bratislavën. Sapo arritëm ishte një vapë që ç’të të them. U fshehëm midis rrugicave në qendrën e qytetit që të kishim hije brenda, madje frynte dhe erë. Qyteti ishte plot me turistë dhe muzikantë apo aktorë që

luajnë animacione në rrugë. Atmosferë e lezetshme . Sigurisht kudo të shkosh mbizotërojnë grupet e kinezëve e japonezëve të cilët kanë shumë lekë por çuditërisht s’kanë gusto në të veshur. Përshtypje të parë na bëri sistemimi I ndërtesave njëra pas tjetrës. Me ngjyra të ndryshme por ama të kombinuara mirë. Çdo ndërtesë e vjetër e ka një skulpturë apo gdhendje karakteristike që e bën të duket artistike. Megjithatë unë kudo ku shoh ngjyra marrosem. Pastaj shatervani Maximilian ngjante si prodhim i Romës, apo dhe sheshet në formë Piacash ku ndaloje për kafe. Në fakt holli i qytetit të vjetër ka marrë pamje tjetër që pas vitit 1200 kur u pushtua nga Napoleoni. Kulla kryesore me orën u projektua në stilin gotik Toskan dhe prandaj ai shesh më ngjante paksa me Italinë. Në mendjen time kishte mbetur ‘Kisha Blu’ që herën e fundit e vizitova natën. Padyshim është kisha më e bukur dhe e veçantë që kam parë ndonjëherë. Ngjan tamam si shtëpi kukullash apo si kishë e sapo dalë nga përrallat. Gjatë rrugës për atje na bënin përshtypje lagjet plotë gjelbërim. Madje disa prej ndërtesave kishin bimë kacavjerrëse që janë rritur deri në katin e 4. Çfarë freskie dhe bukurie që jep ngjyra jeshile e pemëve. E pse ta lyesh pallatin kur mjafton të mbish bimë të tilla që duken si qilima? Por mendoja që në këto aparamente duhet të kënë dhe instekte të ndryshme në shtëpi. Le të kthehem prap tek ‘Kisha Blu’ që është ndërtuar për Shën Elisabetën e Hungarisë e lindur në Bratislavë. Portreti i saj mund të shikohet jashtë kishës. Kisha më kujtoi stilin e Gaudit, arktitektit të famshëm të Barcelonës. Quhet ‘Kisha e Vogël Blu’ për shkak të ngjyrës së fasadës, mozaikëve dhe çatisë me xham të kaltër. Shumë çiftë zgjedhin të organizojnë ceremoninë e tyre të martesës këtu. Gjatë vizitës tonë ishte e mbyllur nga brenda, por mbaj mend kur e pashë herën e parë edhe nga brenda është blu. Komplet aredimi i drurit dhe karriget. Komplet ndryshe nga ç’jemi mësuar të shohim shpesh në kisha. Për drekë hëngrëm ushqim tradicional. Një shoku im në Instagram më sugjeroi të hanim makarona të mbushura me djathë deleje. Ç’të hash domethënë! Aty mu mbush mendja që s’dinë vetëm italianët të bëjnë makarona. Nëse ju bie rruga në Bratislavë duhet t’i provoni patjetër. Ndërsa si ëmbëlsirë janë disa si petulla ose krepa që piqen duke u rrotulluar dhe pastaj i mbushin në mes me ç’të duash. Të tilla kam ngrënë edhe në Budapest, sic duket është traditë e kësaj zone. Shëtitëm përsëri në qytet ku gjithmonë zbulonim një spot historik përfshire Portën e Michael që është ruajtur nga fortifikimet mesjetare dhe renditet ndër ndërtesat më të vjetra të qytetit, që prej 1300. Për në fund lamë të vizitonim kalanë e Bratislavës në majë të kodrës. S’ka ndonjë karakteristikë të veçantë. Më tepër duket si Fortesë se sa si kala. Herën e parë kur e vizitova binte dëborë dhe s’kam patur mundësi ta shijoja pamjen e Bratislavës sic duhej. Nga këtu shikon Danubin, qytetin e vjetër dhe kufirin me Austrinë. Për ta kuptuar ku është Austria mjafton të të kapë syri një gërrumbull me mullinj ere që duken në sfond. Flitet që kjo kala të jetë ndërtuar që në vitin 907 por ka pësuar ndryshime gjatë viteve. Në një pjesë të saj do të shikoni dhe kopshtet e vogla me lule e skulptura. U larguam nga Bratislava në darkë rreth orës 8 pa u errësuar akoma. Morëm autobuzin që të çon në Vjenë për rreth një orë. Në fund të këtij udhëtimi mësova se asnjë qytet nuk është i shëmtuar, qoftë edhe ato më pak të famshmet. Mjafton të kesh nerva e dëshirë për të parë sepse bukuria gjendet kudo./ Dritare.net