Nga Dorina Hoxha*
Dashuria i ka rrënjët e thella, e depërton në skutat e këtij qyteti kudo, nëse ajo mungon edhe qyteti bëhet i mërzitshëm. Të duash fëmijët do të thotë, ti mësosh se si të duan njëkohësisht shtëpinë e qytetin e tyre. Nëse një qytetërim nuk ngrihet mbi themelet e një komunikimi të shëndetshëm, jehona e saj do të ndikojë tek gjeneratat në vijim. Në një qytet, nëse nuk ka dashuri, ai qytet vdes dhe qytetarët e saj bëhen hije të monotonisë.
Familja, si qeliza e çdo qyteti është shkaku dhe pasoja e reflektimit ndër sy të dashurisë që japim dhe marrim me njëri tjetrin. Të duash, do të thotë të shikosh të mirën në kaos, në zhurmë apo edhe në monotoni. Të dua, fillon nga familja dhe përfundon në institucionet e një qyteti. Koha është për njerëzit, dashuria për të zgjedhurit, ndaj këtë qytetin tim e dua para së gjithash, sepse familja më mësoj të duam njëri- tjetrin në cdo cep të saj. Reflektimi i familjes sime ma bëri ta dua Tiranën nga njëri skaj i saj në tjetrin. Ja pra, miqtë e mi, e dua këtë qytet jo vetëm sepse jeta ime është e ndërtuar nga copëza kujtimesh të bukura ose jo, në këtë qytet, dhe reflektimi im për jetën është ngritur para së gjithash nga prespektiva e këtij qytetërimi, e dua këtë qytet jo vetëm se jam pjesë e një institucioni në shërbim të fëmijëve të këtij qyteti, por e dua sepse çdo pamje e tij më ngushëlloj syrin kur më lotoj, më ngushëlloj mendimet kur më shqetësonin, çdo kodrinë apo gjelbërim u bënë frymëzim për ti dhënë mendimeve të mia një trajtë tjetër dimensionale. E dua këtë qytet sepse qielli mbi të, vërtet mund të jetë më i ndotur, po se ky qiell mban frymëmarrjen e njerëzve që dua, mban aromën e ngrohtë të tryezës së shtëpisë, vendit ku prej vitesh ngrejmë me lutjet tona dëshirat drejt kupolës hyjnore me shpresën e një zgjidhjeje dhe reflektimi.
E dua këtë qytet jo vetëm se përfaqëson fëmijërinë time dhe prejardhjen, por e dua se pikërisht në këtë qytet flitet gjuha që më së mirë e njoh dhe më njeh për të më pasqyruar tek të tjerët me anë të fjalës.
E dua këtë qytet sepse për të dhënë një këshillë nuk mjafton të jesh pjesë e një përfaqësimi por sepse dashuria duhet të jetë në qëndër të çdo komuniki. Duhet ta shohim Tiranën si një destinacion që na çon tek dashuria jonë dhe jo tek pretendimet e një piedestali të ngritur prej absurdi.
Tiranën e dua jo sepse është qyteti që të përrallon por sepse është vendi ku qindra fëmijë kanë dëgjuar përrallat e gjyshërve të tyre, zëri i të cilëve jehon në shpirtin tonë ashtu me të folurën karakteristike ku të gjitha ‘a-të’ bëhen ‘o’ dhe prej komunikimit njerëzorë e të butë që karakterizon qytetarët me prejardhje të hershme Tiranase.
E dua Tiranën sepse të duash nis nga qeliza e çdo qyteti siç është familja, e duke dashur familjen ne duam çdo pëllëmb tokë të këtij qyteti ku shkelin kujtimet tona të mira ose jo, të bukura ose të shumtuara, të hareshme ose jo.
Tirana është kryeqëndra e zemrës së çdo qytetari që në një moment të caktuar të jetës shijoj bukuritë e saj, pamjet nga kalaja e Petrelës, deri në kalanë e Prezës, nga kalaja e Tiranës në qëndër deri në gjurmët e hershme historike të Dajtit. Tirana është çdo milimetër ku në një kafe ose në një Pazar lë si kujtim një buzëqeshje, një diskutim, një fotografi që pasqyron se ky qytet është i gjallë, ka jetë, që duan ta ndërtojnë me dashuri për fëmijët e tyre, për kujtimin e paharrueshëm të paraardhësve tanë që na mësuan ta duam këtë qytet jo duke e ndotur, jo duke e zaptuar kinse janë nga Tirana, por duke përcjellë frymën kuturore se Tirana I përket një qytetërimi 1 shekullorë nga Bogdanët tek Toptanët, Nga Vaqarri deri në Zall Bastar, nga Dajti deri në Ndroq e nga Peza deri në ShënGjergj.
Tirana i përket njerëzve që duan të ngrejnë profesionalizmin e tyre në kontribut të një qytetërimi që sapo ka hedhur themelet shekullore. Tirana i përket njerëzve që e duan familjen dhe kontribuojnë në një dashuri komunitare duke mos i fluturuar plehrat nga dritarja e katit të 9, por të respektojnë liritë dhe të drejtat e cdo qytetari tjetër. Tirana është edhe e atyre që luajnë shah në kodrat e liqenit artificial, edhe e atyre që merren me blegtori e buqësi, Tirana është e atyre që gëzojnë edhe vetëm për një datë historike dhe përpiqen të ngrenë ura bashkëpunimi për të bërë gjëra sa më të vyera për këtë qytet, Tirana nuk është e atyre që vuajnë nga inferioriteti I të qënit pjesë e këtij qyteti duke e dëmtuar, duke hedhur baltë mbi traditën tiranase e duke penguar zhvillimin e këtij qyteti tashmë metropol.
MetroTirana duhet të ngrihet mbi parimet e mbrojtjes së fëmijëve të këtij qyteti, që nesër do të jenë zëri ynë I fuqishëm.E dua MetroTiranën sepse jetohet shpejt dhe intensivisht. E dua metroTiranën sepse ngado ka pakëz zemër të secilit prej nesh, duke na treguar kush ishim dhe cilët jemi. E dua MetroTiranën sepse për të dashur nuk mjafton të ecësh mbi asfalte ari por mbi vlera dhe parime që na e bëjnë të pazhbëshme fëmijërinë, kujtimet, prejardhjen dhe projektimin tonë të ardhmen. Shekullofsh MetroTirana ime !/ Dritare.net
*Fotoja kryesore, Kartelinë është bërë në 1937 nga Italianët vajza më e vogël është gjyshja e autores,Nexhmie Mustafa Hoxha .